Ish-presidenti i Rumanisë do të gjykohet për krime kundër njerëzimit
Ish-presidenti i Rumanisë, Ion Iliescu, do të gjykohet për krime kundër njerëzimit, për shkak të rolit të tij pas revoltës së përgjakshme të Rumanisë, më 1989, e cila rrëzoi regjimin e diktatorit komunist, Nicolae Ceausescu.
“Është një moment veçanërisht i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Rumani, i cili po e përmbush një borxh nderi për historinë”, ka thënë kryeprokurori rumun, Augustin Lazar.
Njoftimi i tij pason hetimet disavjeçare, të cilat shpesh janë përballur me rezistencën e zyrtarëve për të hetuar periudhën e paslargimit të Ceausescut nga Bukureshti, më 22 dhjetor, 1989.
Iliescu ka qenë ministër i Qeverisë para se të largohej nga Ceausescu në fillim të viteve 1970.
Ai është rizgjedhur udhëheqës i Frontit Kombëtar të Shpëtimit, një grup që ka marrë kontrollin e Rumanisë, pasi Ceausescu dhe bashkëshortja e tij, Elena, janë arratisur, si pasojë e revoltës që ka nisur në qytetin perëndimor të Timishoarës dhe është përhapur më pas në pjesën tjetër të vendit.
Pasi Iliescu ka marrë kontrollin më 22 dhjetor, 862 njerëz janë vrarë.
Iliescu, tani 89 vjeç, është zgjedhur president i Rumanisë më 1990, është rizgjedhur më 1992 dhe ka shërbyer një tjetër mandat nga viti 2000 deri më 2004.
Iliescu dhe ish-zëvendëskryeministri Gelu Voican Voiculescu akuzohen për “përhapjen e dezinformatave përmes paraqitjeve televizive dhe njoftimeve për shtyp”.
Deklaratat e tyre thuhet se kanë rritur rrezikun e “të shtënave kaotike dhe të urdhrave kontradiktorë ushtarakë”.
Iliescu po ashtu do të duhet të përgjigjet për akuzat për krime kundër njerëzimit, në lidhje me shtypjen e një proteste në Bukuresht më 1990, në të cilën kanë mbetur të vrarë së paku katër njerëz.
Edhe Iliescu, edhe Voiculescu mohojnë çdo keqbërje.
Data për gjyqin nuk është caktuar ende. /Rel/