Ish-presidenti i Tunizisë varroset në Medine
Ish-presidenti i Tunizisë, Zine El Abidine Ben Ali, është varrosur në qytetin e shenjtë të Medinës, pasi vdiq në ekzil në Arabinë Saudite.
Ben Ali, i cili vdiq të enjten në qytetin Jeddah, u varros në varrezat “Al Baqi” pranë xhamisë së profetit Muhamed, vend që respektohet shumë nga myslimanët.
Trupi i tij, i mbuluar me një mbulesë të gjelbër, u bart deri në varr nga dhjetëra njerëz.
Disa anëtarë të familjes së tij raportohet se e kanë hapur derën për ngushëllime në kryeqytetin e Tunizisë.
Në anën tjetër, mediet dhe autoritetet saudite nuk kanë dhënë ndonjë koment për vdekjen e tij.
Ben Ali ishte lideri i parë që u rrëzua gjatë kryengritjeve të njohura si “Pranvera Arabe”. Ai vdiq në moshën 83-vjeçare.
Ai e udhëhoqi vendin e tij nga viti 1987 deri në vitin 2011, ndërsa është kritikuar për mungesën e vullnetit për ta qeverisur vendin me sistem demokratik.
Për shkak të protestave masive dhe të vazhdueshme, Ben Ali u detyrua që me 14 janar të vitit 2011 të largohet nga Tunizia dhe të kërkojë strehim në Arabinë Saudite, ku jetoi deri në vdekje, shkruan “France24”.