Ish-presidenti Moisiu: Historia e rajonit është e mbushur me zënka, përplasje dhe krime
Ish-presidenti, Alfred Moisiu mori pjesë në konferencën “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor”.
Në fjalën e mbajtur, ish-kreu i Shtetit e vuri theksin te problemet e rajonit.
Sipas Moisiut, edhe pse kanë kaluar dy dekada nga luftërat e fundit, që ndodhën në rajonin tonë, ende po përballemi me sfida të mëdha që duhen kapërcyer.
“Historia e rajonit është e mbushur me zënka, përplasje, krime, hakmarrje dhe keqkuptime midis popujve tanë, të shtyra dhe të frymëzuara nga drejtuesit e ndryshëm nacionalistë dhe nga disa forca regresive fetare. Kështu edhe pse kanë kaluar dy dekada nga luftërat e fundit, që ndodhën në rajonin tonë, ne ende përballemi me sfida të mëdha që duhen kapërcyer.
Ne sot jetojmë në një shekull kur njerëzimi po përpiqet që t’i lërë mënjanë këto lloj veprime dëmprurëse ndërmjet njëri-tjetrit, duke pasur si qëllim zhvillimin normal e bashkëkohor të vendeve të tyre, për një jetë të qetë dhe paqësore.
Pikërisht këtë detyrë i kanë vënë vetes dhe ambasadorët e paqes, që të bëjnë të pamundurën për të afruar popujt me njeri tjetrin, dhe sidomos për të hequr dorë nga mëritë e vjetra duke punuar me përkushtim për të ardhmen e brezave të rinj. Që ata të mos t’i trashëgojnë këto mentalitete, por të mendojnë më shumë për të ardhmen e tyre sa më të mirë.
Por pavarësisht shqetësimeve ekzistuese, disa probleme që pengonin mirëkuptimin rajonal, tashmë janë zgjidhur. Konkretisht marrëveshja midi Maqedonisë Veriore dhe Greqisë është një hap serioz dhe shumë i rëndësishëm. Zgjidhja me sukses e problemeve të trashëguara midis këtyre dy vendeve, është një meritë e padiskutueshme e drejtuesëve aktual të Maqedonisë së Veriut, të cilëve për këtë qëllim ju desh të bënin një sakrificë sa kombëtare aq edhe personale. Ky është një shembull nga i cili duhet të mësojë e gjithë klasa politike e rajonit.
Më tej ai shtoi se: “Ndërkohë, për fat të keq shohim se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë ende janë pezull, duke krijuar një situatë, që mban brenda rreziqe potenciale. Deri tani, me gjithë përpjekjet edhe ato ndërkombëtare, nuk është arritur një zgjidhje normale dhe e qëndrueshme e situatës. Drejtuesit politikë aktualë duhet ti japin fund gjendjes së nderë midis dy vendeve. Ata duhet që, me kurajo dhe përgjegjësi maksimale ndaj popujve të tyre, të gjejnë zgjidhjet dhe të marrin vendimet e duhura, duke shkelmuar mbeturinat e koncepteve të shkuara të nacionalizmit. Njerëzit duan paqe dhe qetësi, për të bërë një jetë normale, pra politika duhet t’i japë zgjidhje problemeve në mënyrë sa më të drejtë e të pranueshme”./shqip