Ish-presidenti Moisiu: Politika shqiptare duhet ta mbledhë mendjen
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, i ftuar në studion e ‘Ora News’, ka thënë se në dialog nuk mund të hyhet me kushte.
Duke folur për krizën në vend, Moisiu ka theksuar se duhet të ketë vullnet politik, ndërsa ka shtuar se sa herë politika shqiptare krijon sherre sytë i mban nga ndërkombëtarët.
“Pazaret asnjëherë nuk janë ato që duhet të jenë, japin zgjidhje të përkohshme. Unë mendoj se politika shqiptare duhet të mbledhë mendjen, se ka një përgjegjësi të madhe para popullit. Po mbushen 30 vjet që ne lundrojmë me mendje në demokraci por për fat të keq, demokracinë nuk po e arrijmë siç duhet, jo se është e paaritshme, por për vetë kushtet që politika krijon”, ka thënë ai.
“Gjatë këtyre viteve janë bërë shumë zullume, abuzime dhe mashtrime. Dhe ne po të njëjtët politikanë i kemi akoma në krye të punëve. Do vijë një kohë që do kërkohet përgjegjësi dhe llogari. Reforma në drejtësi këtë qëllim ka. Nuk ka thjesht qëllim që gjyqtarët e korruptuar ti mënjanojmë, por duke stabilizuar drejtësinë ajo do stabilizojë dhe politikën. Deri tani nuk kemi asnjë politikan prapa hekurave që e meritojnë“, ka thënë Alfred Moisiu.