Ish-presidenti Pacolli për incidentin me Osmanin në aeroportin e Shkupit: Stafi i presidentes janë fajtorët e vetëm
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili njihet edhe për posedimin e një aeroplani privat me të cilin udhëton gjithandej, ka reaguar për incidentin në Aeroportin e Shkupit ku është përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pacolli ka thënë se presidentja Osmani s’është aspak fajtore për atë që ka ndodhur. Ai gjithashtu ka thënë se personeli i sigurisë në aeroportin e Shkupit s’janë fajtor, meqë iu është dashur të garantojnë siguri të plotë për çdo pasagjer që udhëton.
Në fund, ish-presidenti Pacolli ka thënë se fajtorë janë stafi i presidentes Vjosa Osmani, që kanë dështuar të lehtësojnë kalimin e presidentes Vjosa Osmani në aeroport.
Shkrimi i plotë:
Në përgjigje të shumë pyetjeve që më janë parashtruar sot lidhur me incidentin në aeroportin e Shkupit, dua të theksoj shkurt se;
Presidentja, si person me imunitet diplomatik, nuk është ASPAK fajtore për atë që ka ndodhur. Ajo nuk organizon e as qe duhet të organizoi tranzitimin në një aeroport të tretë, kështu që Presidentes i’u është imponuar çdo gjë që ka ndodhur.
Po ashtu, edhe personeli i sigurisë në aeroportin e Shkupit nuk është fajtor; ata kanë detyrën të garantojnë siguri të plotë për çdo pasagjer që udhëton me aeroplan.
Faji kryesor i takon stafit të presidencës, që shpesh është i mbipopulluar, i panevojshëm dhe jo profesional dhe gjithmonë arrogant. Ky staf ka dështuar sërish në facilitetin e kalimit të presidentes në mënyrë dinjitoze në këtë pikë kufitare aeroportuale.