Ish-presidenti serb emërohet drejtor i një kompanie kineze në Serbi
Ofruesi kinez i shërbimeve në fushën e teknologjisë hapësinore dhe aplikacioneve tokësore USPACE Technology Group ka emëruar ish-presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, në pozitën e drejtorit të pavarur joekzekutiv të kompanisë me bazë në Hong Kong.
Siç raporton Bizlife.rs, në komunikatën për media të kompanisë, theksohet se Boris Tadiq, së bashku me CEO të sapoemëruar dhe Kryetar të Bordit të Drejtorëve, Ben Amor, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Arabe për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit, do të kontribuojnë në përmirësimin e ndjeshëm të konkurrencës ndërkombëtare të Grupit.
Përvoja e tyre në sektorin e aviacionit dhe vizioni global duhet të lehtësojnë zgjerimin e bashkëpunimit dhe të përfitojnë më mirë nga mundësitë e zhvillimit në tregun global.
Pozicioni i drejtorit të pavarur joekzekutiv nënkupton një rol këshillues, ku Tadiq shqyrton performancën e biznesit dhe ofron udhëzime strategjike, por nuk merr pjesë në menaxhimin e përditshëm të organizatës – përfundon deklarata.