Ish-presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, feston ditelindjen e 74-të
Meidani ka lindur më 17 gusht të vitit 1944 në Tiranë.
Meidani diplomoi në Universitetin e Tiranës (1966), Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN), dega fizikë, si dhe përfundoi me sukses studimet pasuniversitare në Universitetin e Kanës (Francë) (1974). Në fushën profesionale zoti Meidani punoi fillimisht si pedagog, si shef katedre dhe më pas si dekan i FSHN (1966-1996).
Gjatë kësaj periudhe Meidani botoi një numër të madh studimesh, librash dhe artikujsh brenda e jashtë vendit. Zoti Meidani mban titullin shkencor “Profesor, Doktor”.
Karriera politike e zotit Meidani nisi pas viteve ’90-ta. Ai ishte kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991 dhe anëtar i Këshillit Presidencial (1991).
Gjatë viteve 1992-96 u angazhua në shoqërinë civile duke qenë edhe kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-96).
Më 1996 aderoi në Partinë Socialiste duke u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i saj (1996-1997).
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit 1997 zoti Meidani u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Pas zgjedhjeve, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë i drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997 me propozim të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi zotin Meidani President të Republikës, detyre te cilen e ushtroi deri më date 24 korrik 2002 kur u zevendesua nga pasardhesi i tij Alfred Moisiu.