Ish-presidenti Thaçi flet nga Haga: Në luftë mund të ishim vrarë, gjithçka tjetër na bën më të fortë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili gjendet në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë ka treguar arsyet pse refuzoi të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë.
Thaçi ka thënë se kjo vizitë u bë në kulmin e fushatës zgjedhore.
”Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, i ka thënë Thaçi gazetarëve shqiptarë Mero Baze e Filip Çakuli gjatë një vizite që i kanë bërë atij në dhomat e paraburgimit në Hagë, në njëvjetorin e qëndrimit të tij aty.
Në një shkrim të gjatë ka ndarë momente dhe biseda që bashkë me Filip Çakulin i kanë bërë ish-presidentit Thaçi.
Sipas tij Thaçi i ka thënë se është i fortë. Ai tregon se Hashim Thaçi u shfaq në dhomën e vizitorëve i paprekur nga burgimi njëvjeçar, as nga pamje fizike, por as nga përditësimi për atë çfarë ndodhte jashtë burgut.
Ai thotë se Thaçi ishte në paqe me veten dhe se nuk priste ndihmë nga askush, përveçse nga koha, e cila i ka mbetur aleati kryesor.
Baze tregon se besimi se do të dilte i pafajshëm, dhe bindja se kjo kryqëzatë mbi të dhe disa nga figurat politike të Kosovës, ishte çmimi që ata duhet të paguanin deri në fund të jetës së tyre për Kosovën.
”Kur mendoj që dhe mund të ishim vrarë në luftë, mendoj se gjithçka tjetër na bën më të fortë”, – thotë pa shumë patetizëm, në dhomën e ngushtë të vizitorëve ku unë [Mero Baze] përpiqem të bëj humor me formën e mirë fizike apo regjimin e tij ditor në palestër”, shkruan ai.