Ish-presidentja kroate: Kam diskutuar shumë me Putinin, e kam paraparë agresionin ndaj Ukrainës
E përditshmja kryesore suedeze Dagens Nyheter publikoi dje një bisedë të gjatë me ish-presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, duke e paraqitur atë si një pasuese të mundshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Përkatësisht, ish-kryeministri norvegjez në vjeshtën e ardhshme pas tetë vitesh do ta lërë postin në Aleancën e Mbrojtjes dhe do të bëhet guvernator i Bankës Qendrore Norvegjeze.
Në një intervistë për gazetën suedeze, Kolinda Grabar-Kitarovic nuk ka dashur t’i komentojë spekulimet e mediave se mund të bëhet Sekretare e Përgjithshme e NATO-s.
Ish-presidentja kroate pati disa komente edhe për presidentin rus Vladimir Putin.
Grabar-Kitarovic theksoi se ajo e kishte vërejtur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës për një kohë të gjatë dhe paralajmëroi për mundësinë e një krize globale: “Fatkeqësisht, kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Unë mendoj se kishte një farë naiviteti në të menduar. Manifesti i tij politik i vitit 2000, i cili përmend rivendosjen e fuqisë ekonomike dhe pozitës së Rusisë në botë. Ngjarjet në Gjeorgji dhe Krime më vonë bënë të ditur se çfarë do të ndodhte”.
Ajo dha një përshkrim për Putinin.
“Në takimet e mia me të, ai ishte normal dhe i respektueshëm. Kemi diskutuar për çështje dypalëshe, por edhe për situatën rajonale në Europën Juglindore. Diskutuam ndër të tjera për Agrokor, një kompani që ishte në pronësi të shumicës së bankave ruse dhe kërcënohej me kolaps. Në këtë, por edhe në disa çështje të tjera rajonale, Putini ishte konstruktiv dhe dha një zgjidhje”, tha ish-presidentja kroate.