Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës: Specialja po i shërben Serbisë, raporti i Dick Martyt ishte bosh
Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Geoffrey Nice, ka thënë se Gjykata Speciale në është duke i shërbyer Serbisë dhe se raporti i Dick Martyt ishte bosh.
“Mendoj se gjithçka lidhur me historinë dhomave të specializuara është goxha e pazakontë, dhe dukej kështu prej momentit kur raporti i Martyt ishte publikuar. Pastaj raporti i Williamsonit dhe hetimet dhe pastaj formimi i dhomave të specializuara. Unë shikova të gjitha provat pa ardhur në Kosovë, pa i diskutuar ato me askënd në Kosovë dhe konkludova se raporti i Martyt në esencë ishte bosh. S’kishte asgjë aty”, ka thënë Nice në një intervistë për “Nacionalen”.
Ndërsa duke folur në lidhje me gjenocidin serb në Kosovë, Nice ka thënë se ka prova të mjaftueshme për këtë dhe se Serbia duhet të paditet.
“Sa i përket provave, ka prova të shumta të gjenocidit në Kosovë. Por, gjenocidi është një krim shumë i vështirë për t’u provuar. Qeveria juaj duhet ta marrë në konsideratë duke sjellë në aplikim ose duke u përpjekur për të sjellë një aplikim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është shprehur Nice.