Ish-shefi i Formulës 1: Hamiltoni mund të mos kthehet në pistë më 2022
Bernie Ecclestone kthehet të flasë për të ardhmen e Lewis Hamiltonit. Sipas ish-padronit të Formulës 1, shtatë herë kampioni i Botës mund të mos kthehet të garojë më 2022.
91-vjeçari britanik deklaroi se ka folur pak ditë më parë me Anthonyn, babanë e Lewisit, i cili, sipas tij, nuk u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me të ardhmen e pilotit të Mercedesit, me Eclestone që u shpreh se “folëm vetëm për biznes”.
Për sa i përket vitit 2022 të pilotit, Ecclestone deklaroi se ai nuk di asgjë, por nuk beson se Hamiltoni do të rikthehet në pista. “Pasi zhgënjimi i tij është shumë i madh, dhe kjo është e kuptueshme. Me 7 tituj botërorë, aq sa ka edhe Schumacheri, tani për Hamiltonin është momenti ta realizojë ëndrrën e tij për t’u bërë një sipërmarrës në botën e modës”.
Më pas Ecclestone u ndal në finalen e garës së Abu Dhabit që i dorëzoi titullin botëror të Formulës holandezit Max Vesrtappen.
“Drejtori i garës, Masi, mund t’i kishte kursyer ca telashe nëse do ta kishte ndërprerë menjëherë garën me flamurin e kuq pas incidentit. Pastaj do të kishte një superfinale mes Maxit dhe Lewisit për tri xhirot e fundit. Masi natyrisht që është fajtor edhe për këtë sot. Shumë gjëra shkuan keq, por tani nuk mund t’i ndryshojmë”.