Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it i kërkon raportim edhe Kurtit: EULEX-i ka manipuluar procese gjyqësore
Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i është drejtuar me një letër zyrtare kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas heshtjes së Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar të dëshmojë për manipulimet e EULEX-it me administrimin e drejtësisë në Kosovë.
Simmons në këtë letër për Kurtin të cilën e ka siguruar Demokracia.com, thotë se dështimi i Kuvendit të hetojë këto çështje i shërben dëmtimit të mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë. Ai ka thënë se EULEX-i është mision politik që maskohet si një mision mbi sundimin e ligjit, i cili ka manipuluar me procese gjyqësore për të arritur objektiva politike.
“Unë kam qenë i përfshirë në administrimin e drejtësisë në Kosovë. Në lëndët të cilat unë dhe kolegët e mi i kemi gjykuar si kryetarë të trupit gjykues, kanë përfshirë qytetarët e Kosovës ose/dhe veprat penale të kryera në Kosovë. Është me rëndësi se gjyqtarët e EULEX-it kanë administruar me drejtësinë në emër të popullit të Kosovës. Prandaj unë mendoj se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje sesi është administruar drejtësia në emër të tyre nga ana e EULEX-it. Dështimi i Kuvendit të hetojë këto çështje do t’i shërbente dëmtimit të mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë. EULEX është mision politik që maskohet si një mision mbi sundimin e ligjit. Këtë mision e ka ftuar populli i Kosovës për të ndihmuar në reformat e administrimit të drejtësisë. Në vend të promovimit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, EULEX-i e ka dëmtuar sundimin e ligjit dhe ka manipuluar me procesin gjyqësor për të arritur objektivat politike”, shkruan Simmons në letrën e tij për Kurtin.
Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it ka pohuar se nuk ka për qëllim që të zbulojë informata të ndjeshme që lidhen me hetimet penale, por do të jetë në shërbim të Kuvendit të Kosovës me çdo material relevant për hetimin e tyre parlamentar.
“Qëllimi im nuk është të zbulojë ndonjë informatë në lidhje me hetimet penale që janë duke u zhvilluar apo ta shpalosë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo ndonjë informatë që mund të rezultonte në identifikimin e dëshmitarit të mbrojtur. Më tutje, unë nuk kam qëllim të lëshojë ndonjë dokumentacion që është i klasifikuar si dokument “I Kufizuar i UE”. Mirëpo, me pajtimin e Unionit Evropian, unë do t’i dorëzojë Kuvendit çfarëdo materiali të tillë që është relevant në hetimin tuaj. Unë jam gati të bashkëpunojë me Kuvendin dhe e mirëpres përgjigjen tuaj”, thuhet në letrën e Simmons për Kurtin, transmeton Demokracia.com.
Malcolm Simmons ishte nëntë vjet pjesë e EULEX-it në Kosovë.
Ai ishte dërguar nga Zyra për Punë të Jashtme dhe e Komonueltit të Mbretërisë së Bashkuar.
Prej vitit 2008 deri në vitin 2017 ka shërbyer si gjyqtar. Ndërsa, prej vitit 2014 deri në vitin 2017 ka qenë Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it.