Ish-sulmuesi i Algjerisë: Do të doja ta shihja Salahin në fanellën e Barcelonës ose Realit
Ish-sulmuesi i Valencias dhe Algjerisë, Rabah Madjer i ka kërkuar sulmuesit Mohamed Salah të largohet nga Liverpooli, teksa ka treguar edhe ku dëshiron ta shohë në të ardhmen e afërt.
Salah ka shumë vite me fanellën e Liverpoolit, duke fituar çdo trofe të mundshëm, nga Liga e Kampionëve te Liga Premier.
Megjithatë, viteve të fundit emri i tij është përfolur shumë për një largim nga Anfield, ndërsa tani janë shtuar zërat edhe më shumë.
Është ish-sulmuesi Madjer, i cili ka thënë se Salah ka ende kohë për të bërë një lëvizje te Real Madrid ose Barcelona.
“Salah është një lojtar i madh. Liverpooli është një ekip shumë i madh që e ndihmoi atë të zbulonte talentin e tij, gjë që Chelsea nuk arriti ta bëjë”, ka thënë fillimisht Madjer për Al Ain.
“Zgjatja e kontratës së tij ishte një njohje e mrekullueshme e asaj që ai ka arritur në Anfield, por personalisht do të doja ta shihja Salah në fanellën e një prej gjigantëve të futbollit spanjoll – Barcelonës apo Real Madridit”.
“Kjo do t’i japë një shtysë të re karrierës së tij”, përfundoi ish-sulmuesi algjerian.