Ish-të burgosurit politikë e bashkëveprimtarë bëjnë homazhe te varri i Adem Demaçit
Një grup i ish-të burgosurve politikë dhe bashkëveprimtarë kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi në 6-vjetorin vdekjes së tij.
Në homazhe dhe nderim të veprës së tij, bashkëveprimtarët vendosën tufë lule mbi varrin e tij.
Adem Demaçi ishte njëri ndër veprimtarët më të shquar të cilët luftuan për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua nga burgu, Demaçi vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.
Gjatë periudhës 1998-1999, Demaçi ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Adem Demaçi lindi më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa me prejardhje është nga Lupqi i Podujevës.
Veprimtarit të çështjes kombëtare, frymëmarrja iu ndal në moshën 82-vjeçare. Demaçi ka ndërruar jetë me 26 korrik të vitit 2018.