Ish-trajneri i Kosovës: Është traditë shqiptare, fillojnë fort e më pas u mbaron benzina
Ish-trajneri i Kosovës, slloveni Primoz Gliha, ka komentuar për portalin kroat “24 Sata” ndeshjen e Kroacisë ndaj Shqipërisë.
Ai ka kritikuar futbollistët kroatë, e në veçanti Marcelo Brozoviç.
“Të gjithë mendojnë se mund të luajnë deri në moshën 40-vjeçare”, ka thënë ai për mesfushorin e Al Nassr.
Gliha ka thënë se kroatët gabuan me qasjen në lojë pas shënimit të golit të dytë ndaj Shqipërisë.
Ai ka thënë se nuk duhej të tërhiqeshin mbrapa.
“Ata donin që ndeshja të përfundonte sa më shpejt” ka thënë Primoz Gliha për gazetën kroate të sportit “24 Sata” dhe ka shtuar: “Ata filluan të kalkulojnë dhe aty filloi rënia”.
Duke komentuar kombëtaren kuqezi, ai tha se shqiptarët e kanë zakon që t’i nisin ndeshjet mirë, e më pas “u mbaron benzina”.
“Është traditë shqiptare, fillojnë fort e më pas u mbaron benzina, por është interesant se në fund ‘u ngritën nga të vdekurit’, ndërsa si u duk Kroacia në fund, ky është një problem i madh psikologjik.
Trajnerët dikur thoshin ‘kurrë mos shiko tabelën e rezultateve’, thjesht përqendrohu te loja dhe mendo sikur ndeshja zgjat edhe 100 minuta që të mund të durosh.
Atëherë kur shqetësohesh për kohën dhe jo për lojën tënde, nuk je 100 për qind i sigurt për veten”, ka thënë ish-trajneri i Kosovës Primoz Gliha, pas barazimit ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë (2-2).