Ish-ushtari i UÇK-së, mesazh prekës për vdekjen e veprimtarit Osman Arifi
Sot, në moshën 51-vjeçare ka vdekur ish-veprimtari e ushtari i UÇK-së, Osman Arifi.
Me rastin e vdekjes së tij të papritur shumë ish-ushtar, veprimtar e bashkatdhetar kanë ngushëlluar familjarët e të ndjerit. Siç dihet i ndjeri ka lënë kurbetin dhe është kthyer në Kosovë për të kontribuuar në vendlindjen e vet dhe në Kosovën e dashur që dha gjithçka për lirinë e saj.
Por një mesazh prekës në rrjetin social “Facebook”, për Osman Arifin e ka bërë edhe ish-ushtari i UÇK-së, i Batalionit “Atlantiku”, Uk Lushi i cili e ka vlerësuar lartë kontributin e të ndjerit Arifi.
“U largua nga tokat shqiptare para meje dhe si një Odise u kthye atje para meje. Ndonëse shumë i suksesshëm në Zvicër, e dëgjoi lutjen e shpirtit të tij dhe çdo shqiptari që jeton larg tokave tona dhe lëvizi mbrapa në origjinë. Për mbi një dekadë jetoi, punoi dhe u përpjek për jetën lokale e komunitare. Sot e mori Zoti në një botë tjetër. I lumi ai për vete: i plotësuar dhe me ëndrrën e tij të kthimit të realizuar”, ka shkruan ndër tjera Uk Lushi.
Postimi i plotë i Lushit:
Kur njerëzit bëjnë plane, vdekja gjithmonë qeshet. Ndoshta Zoti qeshet, sepse e di që e ka vdekjen ushtare të bindur dhe nënshtruese të çdokujt dhe çdo gjëje.
Plani im ka qenë dhe është të mos jem në” Facebook” deri më 14 shkurt. Por Zoti dhe vdekja ndryshojnë çdo plan.
Sot, në Pacaj të Gjakovës, në moshën 51 vjeçe, ka vdekur Osman Arifi. Një ndër njerëzit e mi më të dashur në këtë botë. Sinonimi më i afërt i cilësorit njeri i mirë.
Herë afër e herë larg, në atdhe dhe jashtë atdheut, gjithmonë ishim megjithatë me njëri-tjetrin. U largua nga tokat shqiptare para meje dhe si një Odise u kthye atje para meje. Ndonëse shumë i suksesshëm në Zvicër, e dëgjoi lutjen e shpirtit të tij dhe çdo shqiptari që jeton larg tokave tona dhe lëvizi mbrapa në origjinë. Për mbi një dekadë jetoi, punoi dhe u përpjek për jetën lokale e komunitare. Sot e mori Zoti në një botë tjetër. I lumi ai për vete: i plotësuar dhe me ëndrrën e tij të kthimit të realizuar.
Shpesh e harrojmë, mirëpo në këtë jetë jemi kalimthi. Në këtë botë të çuditshme jemi veç udhëtarë; si hijet.
Me lot në sy, porse edhe falënderues për të gjitha momentet e magjishme me ty, lamtumirë mik vëlla!
Nëse dikush do të shkojë drejt në Parajsë, pa paraqitur kërkesë për shqyrtim, ti je ai!