Ish-ushtari i UÇK-së, afaristi Albert Bucolli, e bën me shtëpi të re familjen nga Mleqani
Afaristi shqiptar nga Drenasi, me punë dhe vendbanim në Gjermani, Albert Bucolli, duke e parë jetën e vështirë të familjes Kryeziu nga Mleqani i Malishevës, ka marrë një iniciativë për t’i dalë në ndihmë për ndërtimin e një shtëpie. Bucolli kohë më parë ka dëgjuar se familja Kryeziu është duke u ballafaquar me situatë jo të mirë ekonomike dhe shëndetësore, prandaj edhe kohë më parë e ka mbështetur me mjete materiale.
Bucolli e ka kontaktuar edhe kreun e Bashkësisë Islame të Drenasit, Valon Bequkin, nga i cili ka kërkuar të interesohet më shumë për gjendjen sociale të kësaj familjeje. Më pas Bequku, pasi ka marrë interesimin e Bucollit, e ka njoftuar Shoqatën Bamirëse “Bereqeti”, së cilës i kë bërë me dije se kësaj familjeje po i ofron ndihmë afaristi Bucolli.
Pasi janë njoftuar se kjo familje, për shkak të gjendjes së rëndë sociale, ballafaqohet edhe me mungesë të shtëpisë, mërgimtari Bucolli ka vendosur t’ia ndërtojë edhe shtëpinë. Bucolli i ka njoftuar bashkatdhetarët në mërgim, kurse Valon Bequku ata në Kosovë për këtë ide humanitare, dhe bashkërisht i janë bashkëngjitur kësaj ideje për ta ndihmuar për ndërtimin e shtëpisë.
Bucolli, i kontaktuar nga “Epoka e re” për këtë kontribut të tij që ta bëjë me shtëpi familjen Kryeziu nga Mleqani, ka deklaruar: “Kur kam dëgjuar se ajo familje është duke jetuar në kushte të mjerueshme nuk kam mundur të rri indiferent karshi saj dhe kam vendosur ta jap kontributin tim, t’ia ndërtoj shtëpinë që dimri mos ta zë pa të”.
Më pas Bucolli ka thënë se as nuk e njeh atë familje, por ka thënë se “ne që i kemi mundësitë duhet të kontribuojmë edhe në paqe ashtu siç kemi dhënë kontribut gjatë luftës për çlirimin e Kosovës”.
Albert Bucolli ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas përfundimit të luftës ka marrë rrugën e kurbetit. Në vend të Albert Bucollit, donatorit kryesor, nga pamundësia për të marrë pjesë në dorëzimin e çelësave pronarit Bujar Kryeziu, ka qenë i pranishëm vëllai i tij, Taulanti. Familja e Bujar Kryeziut e ka falënderuar shumë familjen Bucolli për ndërtimin e shtëpisë.