Ish-ushtari i UÇK-së padit ministrin e Drejtësisë në Shqipëri
Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, ka depozituar në SPAK kallëzim penal për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për shpërdorim detyre.
Goxhaj pretendon se ministri Manja ka shkelur ligjin duke kërkuar ekstradimin e tij në gjykatën e Hagës, raportojnë mediet në Shqipëri.
Sipas tij, Ulsi Manja në detyrën e ministrit jo vetëm që pranon një letër porosi pa u përcjellë praktika e ardhur për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës me nënshkrimin përkatës të titullarit të saj, por pavarësisht eksperiencës së tij të mëparshme ligjore si prokuror i Prokurorisë së Shtetit, pranon një kërkesë për ekstradim drejt Holandës, siç thuhet, i vetëdijshëm që shteti shqiptar nuk ka asnjë marrëveshje ekstradimi me këtë shtet Holandës.
Dritan Goxhaj, ka kërkuar që SPAK-u të nisë hetime ndaj ministrit Manja për akuzën “shpërdorim detyre”.