Ish-ushtari i UÇK-së shpalos flamurin “Liria ka emër” në stadiumin më të madh të Francës
Fahri Kajtazi, i njohur si “Qeli”, gjatë muajit dhjetor me familjen e vet kishte vizituar Parisin. “Qeli”, që njihet edhe si fans i madh i sportit, kishte vendosur që së bashku me familje ta shikojë ndeshjen kryesore të 12 dhjetorit në Francë në mes të PSG-së dhe Monakos, ndeshje e cila është mbyllur me fitore nga PSG-ja.
Në shkallët e stadiumit ish-ushtari i UÇK-së, pasi kishte marrë një flamur me vete, në të cilin janë të vendosura dy figurat kryesore të UÇK-së, ish-liderëve të PDK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, e ka shpalosur në tribunat e këtij stadiumi atë. Mediet franceze i kishin kushtuar shumë vëmendje atij flamuri.
Kajtazi shpalosjen e flamurit shqiptar e kishte bërë edhe para Kullës Eiffel në Paris.
Fahri Kajtazi, i kontaktuar nga “Epoka e re” rreth idesë së tij për shfaqjen e flamurit me fotografitë e Thaçit e Veselit, ka deklaruar: “Unë udhëtoj shpesh nëpër shtetet e Evropës dhe kudo që shkoj e shpalos këtë flamur, ku janë çlirimtarët tanë.
Në Paris, pasi e shfaqa flamurin dhe bëra foto me gruan dhe vajzat e mia, Tuanën dhe Unën, aty m’u afruan disa serbë dhe filluan të më fyenin. Pas fyerjes që më bënë unë iu përgjigja në formën që e njoh më së miri, kundërfyerjen fizike”, u shpreh ish-ushtari i UÇK-së, Fahri Kajtazi nga Prishtina. /Epoka e re/.