Ish-ushtari i UÇK-së: Shqiptarët myslimanë e katolikë kanë luftuar bashkë kundër forcave serbe

10 nëntor 2020 | 12:37

Ish-ushtari i UÇK-së, i besimit katolik, Bujar Pjeter Gecaj, ka thënë se ndihet i fyer nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale ku thuhet se UÇK-ja kishte vrarë edhe katolikë.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se si shumë shqiptarë të besimit katolikë, vullnetarisht janë rreshtuar në radhët e UÇK-së me qëllim të parandalimit të spastrimit etnik, terrorit dhe gjenocidit serb në Kosovë.

“Katolikët dhe myslimanët shqiptarë jemi një popull, një gjak dhe një histori e përbashkët e mbijetesës historike shekullore, kemi jetuar bashkë në harmoni dhe tolerancë, kemi luftuar bashkë forcat serbe dhe kemi vdekur së bashku për lirinë e Kosovës! Shpresojmë që Gjykata Speciale ka bërë këtë lëshim dhe gabim pa qëllim dhe pa njohuri, sepse kjo ishte një ide dhe përpjekje e Serbisë për të mbjell përçarje fetare brenda shqiptarëve, të cilën nuk ka mundur ta arrijë asnjëherë”, ka shkruar ish-ushtari i UÇK-së, Bujar Gecaj.

Shkrimi i plotë i Bujar Gecajt:

Unë Bujar Pjeter Gecaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zona Operative e Pashtrikut ku kisha epror komandantin Bilall Syla, ndjehem i fyer nga një pjesë apo lëshim i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale. Ata pa të drejtë pretendojnë, mbase të keqinformuar nga burime të informatave të cilat mund të jenë edhe nga prokurorët e Serbisë, e ku thuhet se UÇK kishte vrarë serb, rom, ashkalinjë dhe katolik.
Unë jam shqiptar i besimit katolik dhe si shumë katolikë të tjerë vullnetarisht jemi rreshtuar në radhët e UÇK-së me qëllim të parandalimit të spastrimit etnik, terrorit dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Shumë katolik, madje qindra nga ata edhe janë vrarë nga forcat serbe, të rikujtojmë katolikët nga Gjakova, Meja, Korenica, Guska, Neci, Ramoci, Klina, Peja, Prizreni dhe gjithandej kah jetojnë shqiptarët e besimit katolik në Republikën e Kosovës!
Si ish-pjesëtar i UÇK-së më vjen keq që në vend se të thuhet e vërteta e të dënohen autorët e vërtetë të krimeve kundër njerëzimit, siç ishin ushtarakët dhe udhëheqësit policorë e paramilitarë të kasapit ballkanik, kryekriminelit Millosheviq, ata po amnistohen dhe viktimat po dërgohen në Hagë, kryesisht komandantët të UÇK-së, madje përmes shpifjeve, siç ishte raporti i Senatorit zvicran Dick Marty që doli të ishte i rrejshëm dhe spekulativ!
Katolikët dhe myslimanët shqiptarë jemi një popull, një gjak dhe një histori e përbashkët e mbijetesës historike shekullore, kemi jetuar bashkë në harmoni dhe tolerancë, kemi luftuar bashkë forcat serbe dhe kemi vdekur së bashku për lirinë e Kosovës!
Shpresojmë që Gjykata Speciale ka bërë këtë lëshim dhe gabim pa qëllim dhe pa njohuri, sepse kjo ishte një ide dhe përpjekje e Serbisë për të mbjell përçarje fetare brenda shqiptarëve, të cilën nuk ka mundur ta arrijë asnjëherë.
Lufta e UÇK-së ishte e imponuar, kundër vullnetit tonë, jemi mbrojtur brenda territorit të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë, të cilët bënë 400 masakra në Kosovë, afër 15.000 civilë të vrarë,1.300 fëmijë dhe afër 20.000 femra të dhunuara.
Drejtësia nuk është drejtësi kur ajo është politike, selektive dhe njëetnike!
LAVDI Dëshmorëve dhe Martirëve të Kosovës!
LAVDI UÇK-së dhe NATO-s si aleate e Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe Amerikën!
Bujar Gecaj, New York
ShBA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë të gjithë e dini se Luana Vjollca është shumë…