Ish-ushtari i UÇK-së, Tomor Morina rrezikon të mbetet edhe 45 ditë në paraburgim në Maqedoni
Gjykata Penale e Maqedonisë së Veriut, po e pret arsyetimin e Beogradit për fletë-arrestin e lëshuar ndaj ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i arrestuar nga autoritetet maqedonase një javë më parë në kufirin Han i Elezit në Bllacë.
Pala serbe ka 45 ditë kohë për të argumentuar ekstradimin e tij, por përsëri do të jenë organet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut që do të vendosin nëse ka apo jo arsye për ekstradim.
Avokati Naser Raufi, bëri të ditur se kërkesa e tij për të lënë në liri Morinën është refuzuar nga Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar.
Raufi thotë se institucionet vendase nuk po tregohen neglizhente dhe se në kohë po përgjigjen në kërkesat dhe ankesat e klientit të tij.
“Alsat-M”, ditë më parë njoftoi se edhe në rast të kërkesës për ekstradim, autoritetet në Maqedoninë e Veriut mund të përdorin nenin tjetër të Ligjit për ekstradim, i cili thotë se nëse ekzistojnë dyshime që në shtetin ku kërkohet ekstradimi, gjykimi nuk do të jetë i drejtë apo mund të cenohet siguria e personit në fjalë, atëherë kërkesa për ekstradim mund të hidhet poshtë dhe personi të lirohet.