Ish-ushtari pranon vrasjen e gazetarit dhe të fejuarës
Një ish pjesëtar i ushtrisë në Sllovaki ka pranuar vrasjen e një gazetari investigativ dhe të fejuarës së tij vitin e kaluar.
Jan Kuciak dhe Martina Kusnirova, të dy 27-vjeçarë, u vranë në shkurt 2018.
Media sllovake e cituar nga “BBC” kanë raportuar se Miroslav Marcek dhe tre të tjerë – të gjithë të arrestuar – janë akuzuar për vrasjet, të cilat shkaktuan protesta dhe ndryshime politike në Sllovaki. Prokurorët kanë akuzuar biznesmenin sllovak, Marian Kocner, si porositës të vrasjes së Kuciak. Gazetari dhe e fejuara e tij u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Velka Maca, një fshat rreth 65 km në lindje të kryeqytetit, Bratislavë.
Kuciak po hetonte lidhjet e dyshuara mes biznesmenit sllovak, politikanëve dhe mafies famëkeqe italiane “Ndrangheta”. Zemërimi publik solli zgjedhjen e avokates anti-korrupsion Zuzana Caputova në zgjedhjet presidenciale të Sllovakisë.
Tashmë që Miroslav Marcek pranoi vrasjen, policia ka rinisur kërkimet në lumë për armë dhe prova të tjera./tvklan.al/