Ish ushtari serb thotë se personalisht hodhi rreth 45 mijë mina (predha) në Koshare
Një ushtar serb që ka marrë pjesë në Betejën e Koshares, ka thënë se gjatë kohës sa zgjatën luftimet në këtë zonë, vetëm ai personalisht ka hedhur afër 45 mijë mina (predha) në drejtim të ushtarëve të UÇK-së.
“Mesatarisht në ditë i kam hedhur nga 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 300 ose 1 mijë e 400 mina” (predha), përcjell “KlanKosova”.
Deklarata e Dragan Kamenov, ish komandanti i togut minahedhës të brigadës së 2-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, të dhëna për dokumentarin “Rrëfime lufte nga Kosharja”, të punuar rishtazi nga televizioni shtetëror serb RTS dhe Zastava Film nga Beogradi.
“Për aq sa më kujtohet, besoj që personalisht i kam hedhur nga 40 mijë deri në 45 mijë mina (predha)”.
Serbët ishin të detyruar të shfrytëzonin minahedhësit pasi që në luftime direkte, me armë tjera, nuk kishin asnjë mundësi për t’u përballur me UÇK-në.
Kamenov e ka pranuar se për shkak të kësaj situate, gjatë gjithë kohës dikush nga ushtarët serbë ka kërkuar ndihmë prej togut të tij.
“Gjithmonë ndodhte diçka, kështu që mua më duhej të veproj dhe t’u ndihmojë 24 orë pandërprerë”, ka shtuar ai, transmeton klankosova.tv.
Në këtë dokumentar, ushtarakët serbë pranojnë se patën humbje të shumta nga UÇK-ja, ndërsa tregojnë se edhe dëmet që ata ua shkaktuan pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin kryesisht falë shfrytëzimit të minahedhësve.