Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së e quan Gjykatën Speciale “vatër të dallavereve në Hagë”

19 dhjetor 2021 | 13:48

Ambasadori Joseph Adam Ereli, i cili ishte zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, ka reaguar ashpër ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e quajtur atë si “vatër të dallavereve tinëzare në Hagë”

Ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Sekretarët e Shtetit të SHBA-së, Colin Powell dhe Condolee, përmes një analizë të publikuar në “THE NATIONAL INTEREST”, të cilën Demokracia.com e sjell të përkthyer në gjuhën shqipe, thotë se prokurorët e vendosur në Hagë vazhdimisht po dështojnë të përmbushin idealet e larta të cilave ata supozohet se u shërbejnë.

Qyteti holandez i Hagës ka një reputacion për integritetin dhe pavarësinë gjyqësore. Është selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe e një numri gjykatash ad hoc që përfshijnë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Gjykatën Speciale për Libanin dhe Gjykatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, detyra e së cilës, sipas tij, është për të gjykuar kosovarët e akuzuar për krime lufte në luftën e atij vendi për pavarësi pesëmbëdhjetë vjet më parë.

“Fatkeqësisht, prokurorët me bazë në Hagë vazhdimisht dështojnë të përmbushin idealet e larta, të cilave ata supozohet se u shërbejnë. Në dy raste të profilit të lartë që përfshijnë Libanin dhe Kosovën, përdorimi i tepërt i tyre i provave të njollosura dhe shembujve të tjerë të sjelljes së pahijshme të prokurorisë vënë në pikëpyetje serioze integritetin e këtyre gjykatave.

Pas pesëmbëdhjetë vjetësh procedura ligjore me një kosto prej gati 1 miliard dollarë, Gjykata Speciale për Libanin dënoi vetëm një nga katër të pandehurit për përfshirjen e tij në një bombë që vrau kryeministrin Rafiq Hariri dhe njëzet e një të tjerë në vitin 2005, ndërsa atentatori fajtor as që u kap kurrë. E pakënaqur me pranimin e dështimit të saj të pafuqishëm për të sjellë autorët para drejtësisë, gjykata shënjestroi qytetarë të pafajshëm në një përpjekje të dështuar për të larguar vëmendjen nga pafuqia e saj dhe për të arsyetuar buxhetin e saj marramendës, i cili pjesërisht u pagua nga populli i Libanit”, shkruan Adem Erli, përcjell Demokracia.com.

Në vitin 2015, ai thotë se gjykata nisi procedurë penale kundër Karma Khayat, një gazetare libaneze, e cila akuzohet se ka rrezikuar procedurat gjyqësore duke publikuar një listë të dëshmitarëve të prokurorisë.

“Një kuti që përmbante një informacion të tillë ishte lënë në mënyrë misterioze në studion e saj televizive. Në mbrojtjen e saj, Khayat tha se raportet e saj kishin për qëllim ekspozimin e rrjedhjeve që buronin nga Gjykata Speciale për Libanin. ‘Ne kishim marrë një listë me emra dëshmitarësh – tha ajo. Ne nuk ishim të sigurt për burimin, kështu që nuk e dija nëse ishin të sakta. Pasi u siguruam se ishin të sakta … mbuluam emrat dhe mbuluam fytyrat. Ne thamë se duhet bërë diçka për të ndaluar rrjedhjet’. Megjithatë, pavarësisht këtyre pyetjeve rreth burimit të rrjedhjeve të dosjeve, gjykata e konsideroi çështjen të padenjë për hetim, duke i lënë kritikët me një mori pyetjesh pa përgjigje”, shton ai.

Duke iu referuar rastit të Kosovës, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Sekretarët e Shtetit të SHBA-së, Colin Powell dhe Condolee, thotë se pesë vjet më pas dhe një tjetër gjykatë ad hoc në Hagë u ka hyrë të njëjtave hile të vjetra.

“Në shtator 2020, një person “me syze, maskë dhe kapele” hyri në Prishtinë në zyrat e shoqatës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe dorëzoi rreth 4000 dokumente mbi hetimet e Tribunalit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për krimet që dyshohet se janë kryer nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. Ishte hera e tretë në dy muaj që informacione të mbrojtura nga hetuesit shfaqeshin në mënyrë misterioze. Ashtu si në rastin e Khayat, ata që i pranuan dokumentet i ndanë ato me mediat, pasi redaktuan informacionet komprometuese.

Zyrtarët e sigurisë që vepronin në emër të gjykatës më pas bastisën zyrat e organizatës së veteranëve dhe e çuan në pranga kryetarin e saj Hysni Gucatin dhe më vonë nënkryetarin e saj Nasim Haradinajn. Krimi? Prokurorët në Dhomën e Posaçme të Kosovës kanë akuzuar Gucatin dhe zëvendësin e tij për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve. Në një tjetër ngjashmëri të habitshme me procedurat libaneze, pyetjet se si dhe nga kush u zbuluan këto dokumente po fshihen nën qilim. Kutitë e dyshimta që shfaqen nëpër zyra nuk janë parregullsitë e vetme që rrethojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës me bazë në Hagë, e cila u themelua në vitin 2015 për të gjykuar krimet e dyshuara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Kryetarja e Dhomave të Posaçme mbajti një brifing të gjerë për ambasadorët evropianë mbi akuzat kundër të pandehurve përpara se të shpalleshin zyrtarisht. Aktakuza e gjykatës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u zbulua përpara se një gjyqtar i procedurës paraprake të konfirmonte akuzat. Avokatët mbrojtës kanë akuzuar prokurorët se po pengojnë përgatitjet e gjykimit, duke mos shpalosur provat”, shkruan ai, përcjell Demokracia.com.

Ambasadori Joseph Adam Ereli në analizën e tij thekson se parregullsi të tilla nxjerrin në pah një dobësi bazike të gjykatave të posaçme ad hoc në Hagë.

“Procedurat ligjore në nivel nacional u nënshtrohen shkallëve të ndryshme të mbikëqyrjes gjyqësore. Sjellja e joetike e prokurorisë është arsye për hedhjen poshtë të aktgjykimeve në apel. Një mundësi i tillë nuk ekziston për të pandehurit e Kosovës. Drejtësia duhet të vendoset për krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse dënimet sigurohen me anë të dallavereve tinzare që njollosin Dhomat e Specializuar të Kosovës. Të shikuar tashmë me dyshim dhe armiqësi nga shumë njerëz në Kosovë, veprimet e deritanishme të gjykatës shërbejnë vetëm për të kompromentuar më tej pretendimet e saj për paanshmëri”, ka shkruar ambasadori Adam Ereli, i cili ishte edhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Sekretarët e Shtetit të SHBA-së Colin Powell dhe Condolee.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri është…