Ish-zëdhënësi i KFOR-it për dorëheqjen e policëve serbë: Ne e kemi toleruar gjithmonë sjelljen e Listës Serbe

17 gusht 2023 | 21:21

Ish-zëdhënësi i Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Vicenzo Grasso, ka reaguar të enjten nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, në lidhje me dorëheqjen e disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, të diplomuar në gjeneratën e 58-të më 14 korrik.

Grasso, derisa ka komentuar deklaratën e shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ku shprehej i shqetësuar me dorëheqjen tre policëve të rinj serbë, ka thënë se komuniteti ndërkombëtar i ka toleruar vazhdimisht sjelljet destruktive të Listës Serbe.

“Nuk është befasi! Beogradi, përmes Listës Serbe, gjithmonë e ka sabotuar çdo iniciativë që çon në integrimin e serbëve dhe një shoqërie paqësore shumëkombëshe në Kosovë. Ata e kanë bërë këtë gjithmonë dhe ne e kemi toleruar gjithmonë pa e kundërshtuar fort këtë sjellje”, ka thënë Grasso.

Më 25 korrik nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, përfshirë 45 nga komuniteti serb, pas konkursit të shpallur nga Policia e Kosovës në fillim të muajit. Insitutucionet e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar e kanë cilësuar si të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi ndaj tyre.

Mbi 550 pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë së Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre që nga viti i kaluar, në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet e tyre nga targat ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në ato të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
UÇK-ja vazhdimisht ishte përkujdesur ndaj objekteve fetare, veçanërisht ndaj objekteve…