Ish-zëvendëskryeministri serb: Vuçiqi po luan lojë të rrezikshme, ma kujton Millosheviqin

29 shtator 2021 | 13:07

Në veri të Kosovës situata vazhdon të jetë e tensionuar, kur ka nisur java e dytë e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet me shtetin serb në çështjen e targave të automjeteve.

Serbë të pakënaqur e të nxitur nga Beogradi, po protestojnë atje kundër vendimit të institucioneve të Kosovës.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë ende të bllokuara, ndërsa njësitë speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në ato pjesë.

Radio Televizioni Kroat, “HRT”, përmes një debati të organizuar mbrëmë, i ka trajtuar zhvillimet e fundit në Kosovë.

Zharko Koraq, ish -zëvendëskryeministër i qeverisë serbe në kohën e udhëheqjes së Zoran Gjingjiqit, është shprehur se është paradoksale që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka shkaktuar këtë krizë, duke thënë se veprimet e tij ia kujtojnë disi kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin.

“Problemi qendror është Vuçiqi, i cili shfaqet në zonën e tretë si mbrojtës i serbëve të rrezikuar. Sigurisht, ai nuk distancohet nga Milorad Dodiku me një fjalë të vetme. Në Mal të Zi, një krizë e madhe është hapur përmes Kishës Ortodokse Serbe. Dhe tani në Kosovë. Unë jam i interesuar të di se kur Vuçiqi do të ndalojë së prodhuari kriza, të cilat duhet ta tregojnë atë si një lloj udhëheqësi serb, të paktën në këto zona përreth. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme në planin afatgjatë. Ata duan ta vënë në fron atë. Këtë ai gjithashtu e dëshiron, si një lloj udhëheqësi i një ‘bote serbe’ imagjinare, e cila është plotësisht e paqartë se çfarë do të përfaqësonte në të vërtetë. Është e qartë se duke prodhuar ose mbështetur krizat në rajon, ai dëshiron të promovohet si mbrojtës dhe udhëheqës i madh i serbëve. Në rrethana të tjera, në një kohë tjetër, më duhet të them se ma kujton disi Sllobodan Millosheviqin”, ka thënë ish-zëvendëskryeministri serb.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesja me origjinë shqiptare, Kosovare Asllani është ndalur nga një…