Ish-zëvendësministri Mustafa ka një thirrje për votuesit: Jo votë për mercenarët e shoqërisë civile
Ish-zëvendësministri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nehat Mustafa ka porositur qytetarët që të mos votojnë kandidatët për deputet që kanë hyrë në politikë përmes shoqërisë civile.
Ndonëse nuk ka përmendur emra, Mustafa ka thënë se ata janë mercenarë.
“JO votë për mercenarët e Shoqërisë Civile”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, e keqja më e madhe vije nga subjektet politike të cilat sipas modelit agjenturor rekrutojnë pjesëtar të shoqërisë civile dhe të njëjtit pastaj i përdorin si zëdhënës të tyre dhe krejt kjo në emër të ‘zërit qytetar’.
“Ata të cilët shfrytëzuan Shoqërinë Civile për interesa të subjekteve politike, nuk janë asgjë tjetër pos mercenarë të mendimit të lirë, tek të cilët e pakuptueshmja e djeshme lehtësisht bëhet e kuptueshme deri në shkallë kauze”, ka shkruar ai.
Mustafa ka theksuar se ish-pjesëtarët e shoqërisë civile të cilët sot garojnë për deputet janë kandidat pa identitet politik.
“Ish analistët e Shoqërisë Civile të cilët garojnë në zgjedhje (duke keqpërdorur punën dhe mundin e mijëra aktivistëve të sinqertë) janë kandidat pa identitet politik, prandaj ata janë marioneta që nuk meritojnë të votohen nga qytetarët . Le të kërkojnë vota nga kasta e tyre mashtruese dhe le ta marrin kështu vendin që e meritojnë mercenarët mashtrues”, ka deklaruar Mustafa.