Ish-zyrtari i kryeministrit malazez: Nuk ka dallim mes regjimit të Millosheviqit dhe Vuçiqit, është e njëjta ideologji dhe janë të njëjtit njerëz
Zyrtari i kabinetit të ish-kryeministrit malazez Zdravko Krivokapiq, Predrag Leçiq thotë se nuk ka dallim ndërmjet regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe atij të presidentit aktual serb Aleksandar Vuçiq.
Leçiq për mediet serbe shpjegon se, e përbashkëta e këtyre regjimeve është se e kanë të njëjtën ideologji dhe se janë të njëjtit njerëz.
“Në thelb është e njëjta gjë. Është e njëjta matricë, janë të njëjtit njerëz dhe e njëjta ideologji. E njëjta gjë është sjellja arrogante dhe vështrimi i shtetit si kompani private. Matrica është e njëjtë, kush nuk është me ne është tradhtar ose ustash, pra e njëjta retorikë”, thotë Leçiq.
Sipas tij, Vuçiqi po mundohet me çdo mënyrë të arsyetojë mosveprimin e saj.
“Qeveria, pra Vuçiq, po mundohet me çdo mënyrë të arsyetojë mosveprimin e saj. Për të nuk ka rëndësi e vërteta, për të ka rëndësi vlerësimi dhe asgjë më shumë”, shton ai.
Në fund, ai pohon se propaganda e medieve të afërta pushtetin vazhdojnë të sulmojnë sa herë që regjimit kapet duke vjedhur.
“Kur i kapim duke vjedhur, makineria propaganduese mediatike fillon menjëherë të sulmoj, për një lloj lobisti nga jashtë. Meqenëse mendoj që gjithçka është njësoj, besoj se në fund do të ndodh e njëjta gjë, që populli do ta zëvendësojë autokratin Vuçiq”, përfundon ai.