Ish-zyrtarja e NATO-s: Pak gjasa që Rusia të ketë sukses në Kiev
Ish-zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, është skeptike se forcat ruse do të arrijnë shumë sukses në një sulm ndaj kryeqytetit të Ukrainës.
Një kolonë masive e forcave ruse të grumbulluar jashtë Kiveit besohet se është shpërndarë, në përgatitje për një avancim. Por Gottemoeller thotë se kjo mund të merret si një shenjë dobësie.
“Po pyes veten nëse ata kanë aftësinë për t’u rigrupuar në këtë pikë, sepse logjistika e tyre është në gjendje kaq të keqe, ata nuk kanë furnizimet me karburant që u nevojiten për një përparim në Kiev”, i tha ajo BBC-së.
Gottemoeller thotë gjithashtu se raportimet që luftëtarët nga Siria mund të rekrutohen për të luftuar përkrah Rusisë në Ukrainë, tregojnë qasjen barbare të Moskës ndaj këtij pushtimi.
Rusia thotë se ka 16,000 vullnetarë në Lindjen e Mesme të gatshëm për të luftuar dhe SHBA beson se këta mund të përfshijnë sirianë të aftë në luftime.
“Ata janë grupe ekstremiste, janë njerëz që kanë luftuar në Siri, janë disa nga ekstremistët më të dhunshëm që janë hasur në luftë”, thotë Gottemoeller. /A2CNN