“Ishte 14 vjeç, e keqtrajtuan, e kërcënuan dhe nuk tregoi vendndodhjen e ushtarëve të UÇK-së”, ngjarja e panjohur e dëshmorit Liridon Dërmaku
Nga Drita Dërmaku
Liridon Dërmaku nuk arriti të diplomohej si farmacist për shkak të dashurisë ndaj atdheut dhe mbrojtjes së tokave nga armiku, ai u vra në natën e 24 dhjetorit të vitit 2004, në Tetovë aty ku studionte në Fakultetin e Mjekësisë.
Ëndrra për t’i shërbyer vendit qoftë në fushën e mjekësisë apo në ushtri, përfunduan atë natë ku u rrethua nga pala sllavo-maqedonase.
“Gjatë studimeve u dallua si student dhe ishte shumë i vendosur në zgjidhjen e problemeve që i dilnin përpara. Kishte karakter të fortë dhe ishte shumë i afërt me kolegë”. Këto ishin disa nga vlerësimet që janë cekur në librin “Dërmaku” me autorë: Ismet Dërmaku, Sulejman Dërmaku dhe Hasim Dërmaku.
Vëllai i Liridonit, Faton Dërmaku, përshkruan ngjarjen se çfarë ndodhi deri tek vrasja e te vëllait. “Para se të vritej Liridoni, disa ditë më parë, pala maqedonase dhe ajo e UÇK-së pajtohen për paqe. U arrit ajo lloj marrëveshje që të mos përndiqeshin me ish-ushtarët e UÇK-së dhe që të tërhiqeshin këta të fundit nga disa vende të kontrolluar prej tyre. Armatimin që kishin e dërgojnë në banesën e Liridonit. Pala sllavo-maqedonase e thyen marrëveshjen dhe pabesisht sulmohet grupi i Liridonit, mbetet i vrarë Liridoni, disa të tjerë të plagosur dhe disa të vrarë nga pala maqedonase”.
Në atë kohë të kontribuojë për atdhe, për të drejtat e shqiptarëve dhe jashtë Kosovës nuk ka qenë e lehtë. Liridoni pasi pa gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Maqedoni filloi kontributin me pjesëtarët e UÇK-së që atëkohë vepronin në Maqedoni.
Fatoni u shpreh se atë natë kur u sulmua Liridoni me shokët e tij, burimet brenda spitalit të Tetovës thoshin se tre policë sllavo-maqedonas kanë qenë pa shenja jete dhe një plagosur rëndë është transferuar për në spitalin e Shkupit, ndërsa Liridoni për shkak të plagëve nuk ka mundur ti mbijetojë.
“Disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë të plagosur rëndë dhe disa të tjerë që ishin shokë të Liridonit ishin arrestuar nga maqedonasit e disa të tjerë kanë arritur të mos bien në duart e sllavo-maqedonasëve”, shtoi tutje Fatoni.
Nga fëmijëria deri në studime
Liridon Dërmaku lindi më 17 korrik 1983 në Gjilan, nga babai Sejdiu dhe nëna Feridja. Shkollën fillore e kreu në fshatin Shipashnicë të komunës së Kamenicës. Shkollimin e mesëm e vazhdoi për mjekësi në Gjilan në shkollën e Mesme “Asllan Elezi” dhe e mbaroi me sukses në vitin 2002.
Sipas librit “Dërmaku” Liridoni ishte djalë shumë inteligjent dhe i përkushtuar në shkollim, bashkëpunues në çdo aspekt dhe me çdo njeri.
Në librin “Dërmaku” thuhet se frymëzimi i tij për të kontribuar për atdhe vinte nga babai dhe xhaxhallarët. Babai i tij Sejdi Dërmaku kontribuoi për vendin që nga mosha 16 vjeç. Me fillimin e luftës e tërë familja i shërbente popullit duke strehuar dhe duke përcjell ushtarë. Në furnizimin e luftëtarëve me ushqim, veshmbathje e municion i ndihmonte Liridoni që atë kohë ishte vetëm 14 vjeç.
“Në maj të vitit 1999 policia dhe ushtria serbe, pasi plaçkitin shtëpitë, e marrin Liridonin, e keqtrajtojnë dhe madje e kërcënojnë me vrasje po ai nuk u tregoi se ku ishin luftëtarët e UÇK-së”, thuhet tutje në librin “Dërmaku”.
Florentin Kryeziu tregoi se me Liridonin janë njohur në studime ku edhe ishin në të njëjtin drejtim.“Për herë të parë u takuam në vitin 2002-2003 dhe duke qenë një shok i mirë filluam të ndanim kohë më shumë edhe e bënte më të forte shoqërinë tonë edhe drejtimi i njëjtë i Farmacisë”, shtoi tutje Kryeziu.
Rreth vrasjes së Liridonit, Kryeziu tregon se ku ishte atë natë kur ndodhi rrethimi. “Në periudhën në të cilën ka ndodhur rasti unë nuk isha aty, kam qenë në shtëpi për arsye të pasaportës, ku isha në procedurë të vazhdimit të afatit. Lajmin për Liridonin e kam marrë vesh nga mediet”, tha ai.
Përkujtimet për Liridon Dërmaku
Kryesia Qendrore e Frontit për Bashkimin Kombëtar Shqiptar, me vendimin nr 16/4 më datë 26 mars 2005, Liridonin e shpallën “Dëshmor të Kombit Shqiptar”.
Më 22 dhjetor të vitit 2008 u organizua Akademia përkujtimore me rastin e katëvjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit Liridon Dërmaku e cila u mbajt në Sallën e Kuqe të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë. Në atë organizim flitet për kontributin e të ndjerit.
Aty thuhej se Liridoni lexonte shumë dhe frymëzohej nga vjershat patriotike.
“Në mendjen e tij silleshin vargjet e poetit Ismail Kadare, i cili shkruan:
Dhe dije ti grua
Ti djalë, e ti, plak
Se pragu i shtëpisë
Nuk është ky prag
Po pragu i shtëpisë
Është larg, shumë larg
Kufiri i Vatanit,
Ai është prag.”
Faton Dërmaku e përkujton vëllanë si njeri punëtor, i dhënë pas familjes dhe që e donte shkollimin.
Florentin Kryeziu e kujton shokun kështu “ishte i dashur për rrethin të cilin e kishte, e çmonte familjen”.
Për nder të dëshmorit Liridon Dërmaku ia ngritën bustin më vitin 2008, në vendlindjen e tij, në Shipashnicë të Epërme.