ISHTE ANDËRR

17 prill 2024 | 14:51

Nga: Shefqete Gosalci

Në Institutin Albanologjik në Prishtinë, në prani të një auditori të zgjedhur e serioz, të disa mediave dhe me një organizim të mirëfilltë e me nivel, ashtu si edhe meriton poezia, u përurua një libër i veçantë i një poeteje po aq të veçantë.
Donika Dabishevci, poete dhe botuese, tashmë ka krijuar identitetin artistik të saj dhe është ndër poetet elitare të poezisë së sotme shqipe, jo vetëm në Kosovë. Donika, është poete e vargut që e karakterizon thellësia e ndjeshmërisë njerëzore e shpirtërore, pavarësisht nga tematika që shtjellon poetja.
Që nga tematika e dashurisë dhe erotikës, deri të lufta, vuajtja, zhgënjimi, dhunimi, qëndresa, forca, flijimi e mbijetesa, tema këto që poetja e angazhuar na i sjell në librin më të ri të saj,
“E gjithkohshmja andërr”, i cili u përurua sot, të shtjelluara aq detajisht deri në dramaticitet.
Odisejadën e vuajtjeve të popullit tonë, të grave, fëmijëve, të vajzave dhe nënave shqiptare në luftën e fundit, përpjekjeve të tyre titanike, mbinjerëzore për mbijetesë duke luftuar mes terreve e tmerreve, dhunës e barbarisë, me tjetërsimin dhe mohimin, për mosdorëzim dhe fitore, poetja na e sjell si kornizë fotografish shumëdimensionale, herë bardh e zi, herë të gjakosur me kolorit vuajtjesh, herë si pasqyrë të cipëruar të mijëra thyerjeve shpirtërore njerëzore, përballë egërsisë e llahtarisë çmendurake, dhe shndërrimit të personazheve të saj, në statuja të heshtura, heshtja e të cilave përball pyetjeve, kërkesave e lemerisë së fëmijëve që po përballeshin me tehuajsimin që sjell lufta para syve të tyre, përfaqëson kulmin e dhimbjes njerëzore. Do të thoja, heshtje mizore. Ne jemi dhimbja e tyre, ato janë dhimbja jonë. Ato nëna heroina të dhimbjes, me qetësi e heshtje po u thonin fëmijëve të tyre, ishte andërr.
Poetja Dabishevci përmes këtij libri që për mendimin tim është një klithmë e zëshme dhe një britmë deri në kupë të qiellit, apelon për vetëdijësim e ndërgjegjësim, mbamendje, kujtesë dhe mosharresë.
Pamvarësisht idhtësisë së ngjarjeve për të cilat ajo shkruan, poetja me ambëlsinë e gegnishtes së saj të rrjedhshme na i sjell në vëmendje katrahurat dhe lemeritë e një kohe të egër që lanë gjurmë në shpirtrat tanë dhe të mbarë njerëzimit.
Kush tjetër veç poetëve dhe poeteshave mund ta përcjell në breza shpirtin e një kohe, panoramën dhe dramën e saj.
Në rastin tonë është Donika Dabishevci.
Ah bre Donikë, sikur të ishte andërr?
E të mund ta shkulnim një herë e mirë dhimbjen nga damarët e kësaj toke, e për këta fëmijë të lindte një diell i ri.
Donikës i dëshiroj mbarësi, suksese dhe frymëzime të reja.
Isha e nderuar që më ftuat në përurimin e librit tuaj.
Donikë, tu rritë jeta e tu shtofshin veprat.
16.04.2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, ka…