Ishte dëshmitar në lokalin ku shkuan lojtarët e Kosovës, Arben Zhejqi: Nuk ishin të shoqëruar me femra, nuk kanë pirë as alkool
Edon Zhegrova, Arijanet Muric dhe Florent Muslija u përjashtuan dje nga grumbullimi me Kombëtaren e Kosovës nga FFK dhe Franco Foda.
FFK dje doli me një deklaratë në të cilën shpjegohej se Edon Zhegrova, Aro Muric dhe Muslija kanë thyer rregullat e grumbullimit dhe për këtë arsye janë përjashtuar nga grumbullimi dhe ndeshja e radhës ndaj Qipros.
Menjëherë pas kësaj në media qarkulluan foto ku shihej një lojtar i Kosovës i shoqëruar nga një vajzë.
Dëshmitari, Arben Zhejqi që ishte në lokalin ku ishin, Aro Muric, Zhegrova dhe Muslija tha se ata nuk kanë konsumuar alkool dhe as nuk kanë qenë të shoqëruar nga femrat.
“Ishin të shtunën, i kam takuar rreth orës 22:00, me çfarë bindje thonë që kanë pirë alkool. Ata nuk kanë konsumuar alkool, është rrenë e madhe. Kam qëndruar me ta, kemi folur veç për lojë, pse nuk shkuan gjërat siç duhej. Ata janë të rinj, janë aset kombëtar. Edon Zhegrova është aset kombëtar, Zhegrova stërvitet shumë. E kanë përjetuar shumë keq humbjen ndaj Rumanisë, ishin përtokë. Nuk e di nëse kanë marrë leje, kanë ngrënë darkë e kanë pirë nga një pije dhe kaq. Kanë qenë të shoqëruar me familjar, nuk kanë qenë në shoqëri të femrave. Kanë qëndruar deri diku 23:30/40”, tha Zhejqi në emisionin Favorit në T7.