Ishte duke i plasuar në treg 50 mijë euro të falsifikuara, Policia e Kosovës e zë në flagrancë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë, nën dyshimin se i njëjti ka falsifikuar para. I arrestuari ishte bërë gati t’i lëshoj në qarkullim rreth 50 mijë euro, por nuk ia arriti qëllimit të tij.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovë në një komunikatë për medie, derisa është bërë e ditur se i dyshuari është dërguar në ndalim për 48-orë.
“Policia e Kosovës përmes rrugëve operative me datë 16.09.2020 ka pranuar informacione se një person i dyshuar është duke prodhuar para të falsifikuara në bankënota të ndryshme si: 5 (pesë), 10 (dhjetë) dhe 20 (njëzet) euro. Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, ku dhe është kuptuar se personi i dyshuar me inicialet L. A mashkull/ kosovar është në përgatitje të një shume prej 50.000 euro para të falsifikuara, për t’i lëshuar në treg”, ka njoftuar Policia.
Komunikata e plotë:
Me datë 23.09.2020 Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve dhe hetimeve të zhvilluara, ka bërë arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Policia e Kosovës përmes rrugëve operative me datë 16.09.2020 ka pranuar informacione se një person i dyshuar është duke prodhuar para të falsifikuara në bankënota të ndryshme si: 5 (pesë), 10 (dhjetë) dhe 20 (njëzet) euro.
Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, ku dhe është kuptuar se personi i dyshuar me inicialet L. A mashkull/ kosovar është në përgatitje të një shume prej 50.000 euro para të falsifikuara, për t’i lëshuar në treg.
Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kompetent dhe gjyqtari i procedurës ku nga dhe është dhënë urdhëri verbal për kontrollim të lokacionit ku dyshohej se po prodhoheshin paratë e falsifikuara.
Gjatë realizimit të kontrollit në lokacionin e dyshuar njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar:
• Një printer së bashku me pesë (5) euro të ngjitura në faqen printuese,
• Gjashtëdhjetë e pesë (65) copa letër A4 me para të falsifikuara në të dy anët,
• Dyqind e dy (202) copa letër A4 me nga pesë (5) euro në të dy anët,
• Katër dhjetë e katër (44) kartëmonedhë nga 20 euro që dyshohet se janë të falsifikuara,
• Shtatëdhjetë e katër (74) kartëmonedha nga 10 euro që dyshohet se janë të falsifikuara,
• Njëqind e gjashtëdhjetë (160) kartëmonedha nga 5 euro që dyshohet se janë të falsifikuara,
• Një (1) kartëmonedhë prej 50 euro që dyshohet se është e falsifikuar,
• Foli me shenjë të sigurisë së parave dhe
• Dy telefona celular.
Pas kontrollit i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është intervistuar, në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i dyshuari dërgohet në ndalim për 48 orë.