Ishujt Solomon e njoftojnë Qeverinë e Kosovës për tërheqjen e njohjes, MPJ jep versionin e saj
Numri i njohjeve për Kosovën vazhdon të bjerë.
Për herë të parë, Kohavisioni ka siguruar një tërheqje të njohjes, të cilën e kanë pranuar institucionet e Kosovës.
Bëhet fjalë për Ishujt Solomon, shtet sovran në Oqeani, që gjatë javës ka dërguar notën e tërheqjes së njohjes.
Notën diplomatike, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht KTV-ja, më 28 nëntor e ka pranuar Ambasada e Kosovës në Canberra të Australisë.
Në fakt, janë dy shkresa, e para e zyrës së Ishujve Solomon në Australi që thotë se po ia dërgon Kosovës vendimin për tërheqjen e njohjes nga ana e Ministrisë së Jashtme të këtij shteti.
Në notën diplomatike 02./18, Ministria e Jashtme e Ishujve Solomon fillimisht i referohet vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në prill 2015.
Më pas, njofton për vendimin e marrë dhe arsyet për këtë.
“Ministria e Jashtme dhe për Tregti të Jashtme e Ishujve Solomon, e ka nderin të informojë Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës, që pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe duke marrë parasysh vazhdimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për statusin final të Kosovës dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qeveria e Ishujve Solomon ka vendosur ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Vendimi i marrë nga Ishujt Solomon mbetet në fuqi derisa të përfundojnë negociatat nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në letër.
Ministria e Jashtme në Prishtinë ka mohuar ta ketë marrë këtë dokument.
“Në kanale zyrtare Ministria e Jashtme nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar në lidhje me çështjen të cilës i referoheni. Konsiderojmë se e gjithë kjo është vazhdim i propagandës serbe”, ka thënë për KTV-në, drejtori i zyrës për komunikim në MPJ, Sami Kastrati.
Serbia pretendon se disa shtete si, Grenada, Dominika, Suriname, Liberia, Sao Tome dhe Principe, Guinea – Bissau, Burundi, Papua New Guinea dhe Lesoto e kanë kthyer mbrapsht vendimin e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës.
Ministria që udhëhiqet nga Pacolli vazhdimisht i ka quajtur lajmet të rrejshme dhe e ka akuzuar Serbinë se i ka falsifikuar letrat e tërheqjes së njohjeve që i drejtoheshin Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Por, kjo e Ishujve Solomon, që e kishte njohur Kosovën në gusht 2014, është e para që bëhet publike se i është dërguar institucioneve të Kosovës.