ISIS-i kërcënon Izraelin me sulme
Grupi militant Shteti Islamik (ISIS) është zotuar se do ta shndërrojë Izraelin në shënjestër kryesore të sulmeve të tij.
Grupi në fjalë ka publikuar të hënën një audio-mesazh online, i cili është thënë se transmeton zërin e zëdhënësit të ISIS-it, Abu Hamza al-Quraishi.
“Sytë e ushtarëve të kalifatit, kudo që të jenë, janë ende në Jerusalem”, ka thënë al-Quraishi në mesazhin prej 37 minutash.
“Në ditët që vijnë, me dëshirën e Zotit, do të shihni se çfarë ju dëmton dhe çfarë do t’ju bëjë t’i harroni tmerret që i keni përjetuar”, ka thënë al-Quraishi.
“Radio Evropa e Lirë” nuk ka arritur ta konfirmojë vërtetësinë e mesazhit.
Në vitin 2014, Shteti Islamik ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në disa territore të Sirisë dhe Irakut, ku ka kontrolluar gjithçka, nga monedha deri te plan-programi mësimor.
Nën presionin e operacioneve të kombinuara ushtarake, kalifati ka kolapsuar vitin e kaluar dhe grupi është shpartalluar.
Ish-udhëheqësi i grupit, Abu Bakr Al Baghdadi, është vrarë në një sulm të forcave amerikane në Siri, po ashtu vitin e kaluar.
Megjithatë, ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që Shteti Islamik të rigrupohet.