ISIS-i vret dhjetë militantë të grupit “Hashd al-Shaabi” në Irak
Së paku 10 militantë të grupit “Hashd al-Shaabi” janë vrarë gjatë një sulmi të ISIS-it të shtunën në Irak. Grupi famëkeq i ISIS-it i sulmoi rajonet Mikeishifa dhe Balad në provincën Salahuddin, bënë të ditur pjesëtarë të grupit “Hashd al-Shaabi”, të cilët thanë se personat e plagosur janë dërguar në spitalet lokale.
Ky grup mbizotërohet nga pjesëtarët e sektit shiit dhe është formuar në vitin 2014 për të luftuar kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik.
Formalisht është bërë pjesë e ushtrisë irakiane në vitin 2017. Më vonë gjatë atij viti, zyrtarët irakianë në Bagdad kishin deklaruar se prania ushtarake e ISIS-it pothuajse është shkatërruar.
Megjithatë, ISIS-i ende është i pranishëm në zonat rurale të Anbar-it, Diyala-s, Kirkuk-ut, Salahuddin-it dhe Mosul-it.
Ushtria irakiane kryen operacione të vazhdueshme kundër grupit terrorist në disa pjesë të vendit, shkruan “Anadolu”, transmeton Express.