
Islam Berisha dhe Hamez Behrami, fenikset e Shqipërisë Natyrale
Shkruan: Astrit Gashi
22 vjet më parë, ranë dy deshmorë, por u ngritën dy gurë themeli të Shqipërisë Natyrale. Islam Berisha dhe Hamez Behrami nuk flijuan jetën për ta mbyllur një epokë, por për ta hapur një rrugë , atë të bashkimit kombëtar, që edhe sot mbetet e pasigurt, e pasqaruar, e pambaruar.
Islam Berisha nuk ishte thjesht luftëtar. Ai ishte ideator. Ai e pa Shqipërinë ndryshe nga ne të ndarë në copa, të plagosur në shpirt, por të bashkueshme në një ideal të shenjtë. Ai nuk e shpiku Shqipërinë natyrale, por ia dha frymën e re, ia riktheu moralin, ia dha formën politike.
Ai e dinte që liria e Kosovës pa bashkim ishte një gjysmë fitore. Një armë e vendosur në mur por pa fishekë. Ai e dinte se një flamur në çdo cep shqiptarie nuk do të mjaftonte kurrë, nëse ai flamur nuk valvitej në një vetëdije të përbashkët, në një shtet të përbashkët.
Hamez Behrami, ashtu si Islam Berisha, nuk kërkoi vend në protokoll. Nuk deshi gradë, nuk deshi karrierë. Ai deshi një tokë ku të mos kishte më kufi mes Gjakovës dhe Tropojës, mes Tetovës dhe Prizrenit, mes Ulqinit dhe Shkodrës. Ai deshi që pushka të mos jetë më mjeti, por kujtimi. Që gjaku i derdhur të mos harrohej për llogari politike.
22 vjet më vonë, çfarë kemi bërë ne me amanetin e tyre?
U ngritëm në shtet, por a jemi ngritur në komb?
Folëm për bashkim në fushata, por a kemi punuar për të në institucione?
Përkujtojmë dëshmorët një herë në vit, por a i dëgjojmë çdo ditë në ndërgjegjen tonë?
Islam Berisha –Feniksi i Shqipërisë Natyrale nuk u dogj për të lënë hi, por për t’u ringjallur si zjarri i pashuar i një vizioni që nuk ka përfunduar. Bashkë me Hamez Behramin, ata shkrinë gjithçka që kishin për të mos jetuar në një Shqipëri të ndarë, por për të vdekur për një Shqipëri të bashkuar.
Kushdo që hesht për ta sot, hesht për të ardhmen e kombit.
Kushdo që i kujton me fjalë, por jo me vepra, i ringjall veç për një ditë, por i harron për gjithë vitin.
Bashkimi kombëtar nuk është nostalgji është projekt. Është borxh. Është rrugë që kërkon mendje të kthjellët, shpirt të madh dhe guxim të pakompromis. Dhe në këtë rrugë, Islam Berisha dhe Hamez Behrami janë gurët orientues.
Sot, në 22-vjetorin e rënies së tyre, ne nuk duhet vetëm të përulemi por të çohemi. Të bëhemi zëri i tyre në kohën tonë. Të mos lejojmë që emrat e tyre të mbeten stoli ceremoniale, por të jenë gurthemel i një shteti të ri shpirtëror: Shqipërisë Etnike.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të bashkimit!
Lavdi Islam Berishës dhe Hamez Behramit