Islam Pacolli: Anëtarësimi në Interpol nuk ka qenë përgjegjësi vetëm e MPJ-së
Deputeti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Islam Pacolli, ka mbrojtur ministrin Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për dështimet e politikës së jashtme, ai ka thënë se kritikat ndaj politikës së jashtme nga partitë e tjera janë të pandershme.
Ai ka deklaruar se për diplomacinë e Kosovës në këto vite është përgjegjës i gjithë spektri politike, duke shtuar se çdo subjekt politik ka dërguar për ambasador dhe zyrtarë të tyre në vendet që e kanë njohur Kosovën.
“Ministria e Punëve të Jashtme nuk është kryekëput përgjegjëse për anëtarësim në Interpol. Çdo kush që ka folur këtu dhe ata që nuk kanë folur e dinë se ku janë problemet. Çdo kush e di se kush i ka dërguar ambasadorët e Kosovës”, ka thënë ai.
Deputeti Islam Pacolli ka thënë se nuk duhet të harroj askush se ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i ka sjell shumë njohje Kosovës.
Sipas deputetit Pacolli, të gjitha subjektet politike duhet të reflektojnë dhe të ulen për të diskutuar se ku janë gabimet në të gjitha fushat.
/Epoka e re/