Islam Pacolli: Tragjedia në Shqipëri ka tronditur thellë popullin e Kosovës
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli pas tërmetit që e ka goditur sot Shqipërinë, ka thënë se kjo tragjedi e ka tronditur thellë popullin e Kosovës.
Pacolli është lutur që viktimat të jenë në numër sa me të vogël dhe të lënduarit të kenë shërim të shpejtë.
“Në emrin tim personal dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për popullin shqiptarë dhe familjet e viktimave të prekura nga tërmeti i ditës së sotme. Kjo tragjedi ka tronditur thellë popullin e Kosovës, i cili në këto çaste të vështira, ndodhet pranë popullit vëlla të Shqipërisë, për ta ndarë dhimbjen me familjet e viktimave dhe të dashurve të tyre, për të shprehur solidaritetin vëllazëror me popullin dhe qeverinë e Shqipërisë, me rastin e këtij tërmeti të tmerrshëm. Shpresoj që numri i viktimave në njerëz të jetë sa më i vogël dhe uroj shërim sa më të shpejtë për të lënduarit e kësaj katastrofe të rëndë natyrore”, ka thënë Pacolli.
Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter goditi në orën 3:55 të mëngjesit të sotëm Shqipërinë, ka lënë shumë pasoja. Përveç dëmeve materiale ka edhe të vdekur.
/Epoka e re/