Islami: E meritoja një ftesë, futbollistët u paraqitën mirë
Mbrojtësi Përparim Islami ka thënë për “Epokën e re” se e ka merituar të jetë pesë e Përfaqësueses në miqësoren ndaj Suedisë.
Përparim Islami është lojtari i dalluar i Feronikelit që nuk mori ftesë nga përzgjedhësi Bernard Challandes për ndeshjen miqësore kundër Suedisë. Ai në intervistë për “Epokën e re” është shprehur se e ka merituar të jetë pjesë “dardanëve”, derisa ka lavdëruar për paraqitje lojtarët e Superligës. “Kosova e humbi ndeshjen, por paraqitja ka qenë e mirë, sidomos në pjesën e parë, ku dominoi kundërshtari. Ndërsa për shumicën nga lojtarët e Superligës që luajtën mund të them se kanë treguar paraqitje të mirë”, ka thënë Islami.
“Epoka e re”: Përfaqësuesja e Kosovës në futboll zhvilloi miqësore me Suedinë. Për këtë ndeshje u ftuan 13 lojtarë nga Superliga dhe 9 prej tyre u paraqitën. Cili është vlerësimi juaj për paraqitjet e tyre?
Islami: Loja me Suedinë ishte shumë e mirë. Për këtë ndeshje u ftuan edhe shumë lojtarë nga Superliga, për të cilët ishte një test shumë i mirë për t’u dëshmuar para përzgjedhësit Bernard Challandes. Kosova e humbi ndeshjen, por paraqitja ka qenë e mirë, sidomos në pjesën e parë, ku dominoi kundërshtari. Për shumicën e lojtarëve të Superligës që luajtën mund të them se kanë treguar paraqitje të mirë. Ky është një sinjal i mirë për trajnerin se mund të llogarisë edhe në lojtarët vendorë, kurse lojtarët do të jenë më të motivuar që të punojnë për të arritur të ftohen në Përfaqësuese.
“Epoka e re”: Vitet e fundit keni treguar formë shumë të lartë, duke qenë një nga më meritoret për suksesin e Trepçës ’89, pastaj ishit pjesë në sukseset e Feronikelit. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi që të merrni një ftesë nga Përfaqësuesja. Cili është komenti juaj?
Islami: Me të vërtetë vitet e fundit kam pasur paraqitje të mira dhe përgatitjet fizike ka qenë në nivel të lartë. Jam paraqitur mirë për Trepçën ’89 dhe kemi arritur të dalim kampion dhe më pas kemi marrë pjesë në garat ndërkombëtare, pastaj u transferova te Feornikeli. Mirëpritja ka qenë e mirë. Edhe këtu kam pasur në vazhdimësi paraqitje të mira dhe me plot meritë arritëm t’i fitojmë të gjithë trofetë. Normalisht se kam pritur ftesë nga përzgjedhësi, por nuk e kam marrë një të tillë, por e respektoj vendimin e tij. Mua më takon të vazhdoj të punoj me ritëm të njëjtë dhe në të ardhmen besoj se do të jam pjesë e Përfaqësueses.
“Epoka e re”: Feronikeli, pavarësisht prej rezultateve të mira në vjeshtë, nuk pati formë të mirë. A besoni se në fund ky klub do ta mbyllë me trofe të fituar?
Islami: Rezultatet nuk kanë qenë të pritshme në fillim të kampionatit dhe ndikim të madh ka pasur pjesëmarrja në garat e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Ne kemi mbetur pak mbrapa me pikë, por jemi brenda objektivave dhe besoj shumë se Feronikeli edhe sivjet do të fitojë trofe, ani pse konkurrenca është mjaft e fortë dhe shumë klube po luftojnë për titull dhe Kupë.
“Epoka e re”: Rezultatet munguan në sezonin vjeshtor, por ndryshimet e mëdha jo. Pas këtyre ndryshimeve në radhët e futbollistëve, a është forcuar apo dobësuar Feronikeli?
Islami: Disa lojtarë janë larguar e disa të tjerë kanë ardhur. Tash është herët të jap një përgjigje adekuate, por mund të them se lojtarët e ardhur janë të rinj dhe me perspektivë. T’i shohim paraqitjet e tyre në pranverë dhe atëherë mund të kemi një përgjigje konkrete. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se disa lojtarë kanë nevojë për kohë më të gjatë për përshtatje me pjesën tjetër të ekipit.
“Epoka e re”: Ofertat s’ju kanë munguar nga klubet vendore. Pse vendoset që mos të ndërroni klub apo mendjen e keni te kalimi në ndonjë ligë jashtë Kosovës?
Islami: Si në çdo afat kalimtar, edhe tash oferta kam pasur nga klube të ndryshme, por dëshira ime ishte të qëndroj në klub deri në qershor, kur edhe më mbaron kontrata. Jam i fokusuar maksimalisht vetëm në Klubin e Feronikelit dhe për sfidat që na presin në pranverë. Synimi im është ta mbyllim suksesshëm edhe këtë edicion. Në Kosovë i kam fituar të gjithë titujt e mundshëm dhe në qershor do ta shikoj mundësinë të ndërroj ambient, pse jo të kaloj në një kampionat më të fortë.
/Veton ZYMBERI/