Islami: Feronikeli synon daljen në Evropë
Përparim Islami për “Epokën e re” ka thënë se synimi i skuadrës së Feronikelit është dalja në Evropë, duke mos treguar se a e synon kjo skuadër edhe shpalljen kampione vjeshtore në IPKO Superligë. “Në Kupë jemi kualifikuar. Së bashku me pesëmbëdhjetë skuadrat e tjera shortin e presim të premten. Synimi ynë është dalja në Evropë si kampion ose si fitues të Kupës”, ka thënë Islami.
Mbrojtësi i skuadrës së Feronikelit, Përparim Islami, ka folur para ndeshjes me Flamurtarin, e cila zhvillohet të shtunën në kuadër të javës së 17 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Mbrojtësi i djathtë ka thënë se skuadra kuqezi nuk duhet të nënçmohet për faktin se i ka ndalur shumë skuadra që pretendojnë titullin e kampiones.
“Ndeshjen e radhës e kemi me Flamurtarin. Assesi nuk bën ta nënvlerësojmë, sepse kjo skuadër ka shënuar rezultate pozitive. Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Mungesa nuk kemi dhe shpresojmë se do ta japim maksimumin”, ka thënë Islami, i cili nuk ka dhënë parashikim të saktë se a mund të dalë Feronikeli kampion vjeshtor, pasi Prishtina e pret skuadrën e Dritës në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Prishtina është një pikë para nesh, por e zhvillon ndeshjen e radhës me Dritën që ka një ekip cilësor. Pozita në tabelë nuk është reale në krahasim me potencialin që ka kjo skuadër. Ne jemi të fokusuar vetëm te rezultatet e skuadrës sonë”, ka shtuar ai.
Feronikeli është kualifikuar më tutje në garën e Kupës, pasi e ka mposhtur skuadrën e Trepçës me rezultat 1-2, kurse Islami bën të ditur se skuadra nga Drenasi synim e ka triumfin në garën e Kupës ose për titull në mënyrë që ta sigurojë pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare. “Në Kupë jemi kualifikuar dhe së bashku me pesëmbëdhjetë skuadrat e tjera shortin e presim të premten. Synimi ynë është dalja në Evropa si kampion ose si fitues i Kupës”, ka thënë Islami.
I pyetur për rezultatet e ish-skuadrës së tij, Trepçës ’89, Islami është përgjigjur: “Nuk më takon t’i komentoj rezultatet e ish-skuadrës, por vetëm kam dëshirë t’i uroj suksese. Kam respekt për të gjithë në këtë klub”. Feronikeli renditet në pozitën e dytë me 36 pikë. Prej 16 ndeshjeve të zhvilluara, ka arritur njëmbëdhjetë fitore, tri barazime dhe dy humbje.
/Veton ZYMBERI/