Islami: Kam kontakte me Ballkanin, shpejt vendosi për të ardhmen
Përparim Islami ka thënë të hënën për “Epokën e re” se shumë shpejt mund të vendosë për të ardhmen e vet, kurse klubi i ri mund të jetë Ballkani.
Prishtinë, 10 gusht – Mbrojtësi Përparim Islami është një nga lojtarët më të mirë në futbollin e Kosovës. Ai në dy vjetët e fundit ka luajtur me plot sukses për skuadrën e Feronikelit, kurse është afër që të ndërrojë klub në këtë afat kalimtar.
I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, Islami ka bërë me dije se Ballkani është skuadra që ka shfaqur interesim dhe brenda orëve në vazhdim mund të nënshkruajë marrëveshje me këtë klub.
“Kam kontakte me skuadrën e Ballkanit. Që disa ditë kemi bisedime dhe gjithçka është e hapur. Pra mund të nënshkruaj me këtë klub”, ka thënë Islami, i cili me plot sukses ka luajtur edhe për Feronikelin dhe Trepçën ’89.
“Ka interesim edhe nga drejtuesit e Feronikelit që ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe për kampionatin e ardhshëm”, ka shtuar Islami. Muaj më parë për mbrojtësin e djathtë interesim kishin shfaqur edhe dy skuadra nga Superliga e Shqipërisë, por lëndimi i pësuar pak javë para fundit të kampionatit ka bërë që interesimi i klubeve shqiptare të zbehet.
(V.Z / Epoka e re)