
Islanda premton mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol
26 shtator 2018
| 19:47
Në kuadër të ‘Bloomberg Business Forum’, që po zhvillohet në Nju-Jork, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me presidentin e Islandës, Gudni Johannesson.
Haradinaj ka thënë se ka marrë premtimin për mbështetje nga presidenti Johannesson për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Me presidentin e Islandës Jóhannesson patëm një bashkëbisedim të frytshëm në kuadër të Bloomberg Business Forum në New York. Krahas dakordimit për thellimin e bashkëpunimit bilateral, Presidenti Jóhannesson premtoi se do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.