Ismail Haniyeh u hodh në erë në një shtëpi që ruhej nga Garda Revolucionare

02 gusht 2024 | 21:57

Vrasja e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, është kryer me një mjet shpërthyes të vendosur në një bujtinë ku ai po qëndronte.

Haniyeh u vra më 31 korrik në kryeqytetin e Iranit. Për vrasjen e tij, si Irani, edhe Hamasi, akuzuan Izraelin. Ndërkohë, ky i fundit pretendon se Haniyeh u vra përmes një sulmi raketor.

Por sipas NYT, e cila u referohet 7 zyrtarëve në Lindjen e Mesme, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, ekzekutimi i tij është pasojë e shpërthimit të një pajisjeje të vendosur në shtëpinë ku Haniyeh po qëndronte. Mes burimeve të NYT janë edhe dy iranianë dhe një zyrtar amerikan.

Ndërtesa ku ndodhi ngjarja është pjesë e një kompleksi më të madh të ruajtur nga Korpusi i Gardës Revolucionare iraniane (IRGC). Pajisja shpërthyese besohet se është futur në banesë dy muaj më parë dhe ka qëndruar atje e fshehur. Shpërthimi ka ndodhur në dhomën ku rrinte Haniyeh dhe ka qenë aq i fuqishëm sa ka shembur edhe një mur të jashtëm.

Teherani dhe Hamasi kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e atentatit, por ndërsa shteti hebre nuk e ka pranuar publikisht këtë, “zyrtarët e inteligjencës izraelite informuan Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore mbi detajet e operacionit” menjëherë pas kësaj, thanë pesë burime për NYT.

David Barnea, kreu i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Izraelit, Mossad, kohë më parë ka premtuar se do të goditet kushdo që ka gisht në planifikimin ose pjesëmarrjen në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë rritur pasi Izraeli goditi një kompleks të ambasadës iraniane në Siri në fillim të këtij viti. Vrasja e liderit të Hamasit në qendër të Teheranit është dënuar nga udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka premtuar hakmarrje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta amerikane “Wall Street Journal” (WSJ), operacionin e shkëmbimit të…