Ismail Kadare, pjesa më e vlertë e thesarit kulturor të shqiptarëve
Nga Mimoza Kelmendi/Gjermani
Ashtu si bënte Tomas Mani, edhe shkrimtari Ismail Kadare shkruan në mëngjes dy ose tri ore dhe kështu nis e përditshmja e tij krijuese duke shoshitur vazhdimisht midis imagjinares dhe reales… “Mendoj se në mëngjes truri i njeriut është më i freskët dhe është ne gjendje të punojë më shumë, aq më tepër kur është fjala për të krijuar. Më pas gjatë ditës mund të bëj edhe punë të tjera, por në mëngjes e kam metodë pune dhe nuk e ndryshoj atë”, thotë shkrimtari vetë gjatë nje bisede me gazetaren, i cili ndryshe nga disa shkrimtarë të cilët i zë gjumi i mëngjesit mbi një frazë të pambaruar, zgjohet më mendimin që t’i vihet punës.
Kadare lindi në në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936, ku morri mësimet e para dhe kreu të mesmen. Kadare është një shkrimtar që e ka marrë penën qysh në fëmijëri dhë në moshë shumë të re, në vitin 1953 boton si gjimnazist një përmbledhje me poezi “Lirika. Bëhet i njohur duke thurur vargje. Ai botoi në shumë gazeta dhe revista si gazetar dhe kryeredaktor i revistës “Les Lettres Albanese”. Përmbledhja e tij e dytë “Endërrime”, u shpërblye me çmim më 1957. Pas gjimnazit vazhdon studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës dhe merr një bursë për Institutin e Letërsisë Gorki në Moskë. Pas kthimit nga Moska, ai jetoi në Shqipëri deri sa më 25 tetor 1990 largohet nga Tirana dhe kërkon azil politik në Francë.
Hapësira e krijimtarisë së Kadaresë ngërthen gati gjysmën e globit, nga Evropa në Kinë, duke kaluar përmes Egjiptit të lashtë, por shtrihet gjithashtu në botë të padukshme, në mbretëritë e hyjnive e të ferrit e kudo. Romanet e tij si Prometeu, Endrra mashtruese, Nata e Sfinskit, Piramida, Kush e solli Doruntinën, Ura me tri harqe, etjer, mbulojnë mijëvjeçarë të tërë të historisë njerëzore, që nga antikiteti më i thellë dhe gjer në rënien e komunizmit, duke kapërcyer gjithashtu në kohët tejnjerëzore të legjendës e miteve…
Profesor Dr. Jorgo Bulo, studjues dhe kritik i vepave të Kadaresë do ta vlerësojë Kadarenë si shkrimtar i letërsisë botërore. “Me alegorinë politike antitotalitare, vepra e Kadaresë padyshim që u ka ndihmuar proceseve të demokratizimit dhe të emancipimit të shoqërisë shqiptare. Ajo ka shprehur prirjen e rinovimit të thellë të letërsisë shqipe dhe të integrimit të letërsisë shqipe përtej qarkut të letërsisë konformiste dhe të kohës. Kadareja i dha një fytyrë moderne letërsisë shqipe në gjithë përbërësit e vet. Vepra e tij është shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe letrare të shqipes së njehsuar, e pasurisë së gjallërisë dhe e forcës së magjishme të fjalës shqipe”.
Për Kadarenë, gjuha letrare kombëtare është kryeshenja e identitetit shqiptar, arritje e një procesi shumë të gjatë historik, faktori më homogjenizues; ajo duhet të hapet për pasurinë leksikore ndërdialektore, por jo të rindërtohet sipas trilleve të pafundme të qeverisësve.
“Gjuha shqipe është një makinë e mrekullueshme e të shprehurit, një nga makinat më të përsosura të Europës, nga ana e mundësive të shprehjes. Prandaj, ne s’kemi pse ta prishim këtë makinë për t’u dukur që dimë anglisht, italisht frëngjisht. Ruajtja e pastërtisë së gjuhës që shoqërohet me procesin e pasurimit tregon mjeshtërinë e lartë dhe moralitetin e një kulture”, thekson gjeniu i letrave shqip.
Identiteti i shqiptarëve është prej burimit me karakter europian dhe cënimi i shenjave themelore të këtij identiteti (Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, gjuha dhe letërsia kombëtare) sipas Kadaresë, përbën një regres historik, po aq sa dhe “farkimi” i identiteteve të rremë mbi bazën e dallimit rajonal, fetar, apo qoftë dhe shtetëror. Skënderbeu është argumenti i parë, flamuri i parë që plotësisht e hedh poshtë çdo etiketim kundëreuropian të shqiptarëve. “Skënderbeu është figura më imediate e sotme më e nevojshme për Shqipërinë. Është figura me të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamurin kryesor për të hyrë në Europë. Është figura që tregon se si shqiptarët janë ndjerë europianë nëpër shekuj. Pra, ata nuk e braktisën asnjëherë aspiratën europiane, dëshirën për të qenë në Europë”, thekson Kadare.
Shkrimtari dhe publicisti kosovar Adem Gashi, një njohës shumë i mirë i gjithë krijimtarisë së gjeniut të letrave shqip e vlerëson Kadarenë në këtë 85 vjetor si pjesa më me vlerë e thesarit kulturor të shqiptarëve. “Qëlloi me fat populli shqiptar që shekulli XX i solli një shkrimtar të këtij kalibri. Diçka tepër e rrallë. Në veprën e Kadaresë gëlon në plotni ontosi dhe etnosi i shqiptarit në ekuilibër të dinjitetshëm me popujt e tjerë të rruzullit. Kujtoj se nuk ka lexues të prozës së tij që në një variant, në një fragment a tek një personazh nuk e gjen një pjesë të shpirtit të tij ose të sivëllait binjak. Dhe, si për paradoks, dalin edhe sot e gjithë ditën midis nesh idiotë a halabakë që, kur s’kanë ku kapen, merren me qimet e vetullave të tij se na qenkan të përdredhura! Ismail Kadare tashmë është pjesa më e vlertë e thesarit kulturor, artistik e letrar të shqiptarëve, po aq sa edhe të njerëzimit. Si lumë ai e si lumë ne!“
I konsideruar si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj evropianë të shekullit të XX, veprat e tij janë përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë. Ndërkohë një varg çmimesh e kanë shoqëruar në gjithë bashkëudhëtimin e tij krijues. I nderuar në Francë me “Kryqin e Legjionit të Nderit”, në Spanjë me “Princi i Asturias për Letërsi”, në vitin 2005 me çmimin “The Booker Prize Man”, i dekoruar me Urdhrin shqiptar “Nderi i Kombit”, disa çmime të tjera në Izrael, Itali, Rumani, Austri dhe së fundi me “Ҫmimin Ndёrkombёtar pёr Letёrsinё, Neustad” në SHBA pёr vitin 2020 duke mos harruar edhe që Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel në fushën e letërsisë nga Akademia e Stokholmit.
“Çmimet i shtojnë vlerat letërsisë sonë shqiptare. Këto janë jo vetëm për mua direkt, por edhe për letërsinë tonë në përgjithësi. Janë mbi 15 shkrimtarë shqiptarë që janë përkthyer në botë. Dhe nuk mund t’i thuash letërsisë shqipe, letërsi e ulët, siç pretendojnë disa me teorinë e tyre të fundit. Letërsia shqiptare, krahasuar me vendet e Ballkanit, është një nga letërsitë më të njohura në Evropë“, do të theksonte vetë gjeniu i letrave shqip në një intervistë për mediat gjermane. Ndërsa Süddeutsche Zeitung në një artikull për shkrimtarin tonë do të nënvizonte: “Madhështia artistike e Ismail Kadaresë është e pamohueshme, si romancier veprash të mrekullueshme ai i meriton të gjitha vlerësimet dhe çmimet, që mund të marrë një shkrimtar”.
Kadare ka dëshmuar artistikisht shkërmoqjen e regjimit diktatorial dhe shkërmoqjen e perandorive komuniste sovjetike dhe kineze. Ka denoncuar krimet në rendin e bunkerëve në Shqipëri. Ai është flamurtar i lirisë dhe demokracisë. Shkrimtari dhe ish i burgosur politik në Shqipëri në kohën e diktaturës, Visar Zhiti, në parathënien e librit “Një dosje për Kadarenë“ shkruan: “Ismail Kadare është ndoshta më i rralli në botë që del fitimtar mbi diktaturën, pa u shqetësuar të shpallej si desident a kundërshtar i saj, S’dua titull tjetër, thotë ai, veçse të shkrimtarit normal në një vend anormal. Ndërsa kacafytej me diktaturën fantazmërisht, i kthente krahët sikur ajo të mos ishte, ulej mbi skrivani dhe vazhdonte punën e nisur, para pesë mijë vjetësh.“
Dhe në fund, citojmë vlerësimin e madh që Ismail Kadare ka për diasporën shqiptare, pjesë e së cilës ai është tashmë prej 30 vjetësh.
“Është një nga të vërtetat e pranuara nga të gjithë, se diaspora shqiptare, kjo “Shqipëri e tretë”, siç mund të thoshim ne, ka qenë e pranishme në të gjitha çastet, të mëdha e të përditshme të Shqipërisë. Vizioni i saj, ai vizion që largësia zakonisht e bën më të kthjellët e të paanshëm, në rastin e çështjeve madhore kombëtare, si çështja e Kosovës, ka qenë jashtëzakonisht pozitiv dhe i domosdoshëm. Në kushtet e dy shteteve shqiptare, ky “vizion diasporial”, nëse mund të përdoret një shprehje e tillë, si asnjë herë tjetër bëhet i domosdoshëm. Ai bëhet i tillë sidomos për një nga çështjet themelore të së ardhmes: harmonisë midis dy shteteve shqiptare, të vjetrit dhe të riut”.
*Gazetarja Mimoza Kelmendi është autore e librit “Kadare ndryshe”