Ismail Syla kujton Ali Podrimjen në 80 vjetorin e lindjes
Dje ishte përvjetori i 80 i lindjes së poetit të shquar Ali Podrimja.
Shkruan: Ismail Syla
Me një poezi të botuar në vitin 2001 në shtojcën e kulturës të së përditshmes Koha Ditore dhe dy foto të publikuara për herë të parë, po e kujtoj redaktorin e parë të librit tim të parë me poezi, “Tempulli i braktisur,” Rilindja 1997.
Fotoja e parë është shkrepur në bibliotekën e Gjimnazit “Skënderbeu” në Drenas, para vitit 1994, ndërsa fotoja e dytë me poetin e talentuar Lulzim Tafa, është shkrepur në panairin e dytë të librit, pas luftës, në hapësirat e sallës së sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.
ODE PËR ASHENSORIN REBEL TË “RILINDJES”
Në kabinën e ashensorit të Rilindjes
Tek ngjiteshim në një kat Ferri,
Si makth më zuri fjala e Ali Podrimjes
“Të hënën për mua fillon tmerri.”
Ç’është ky tmerr pa stinë, pa muaj
Tmerr pa javë, pa fund, pa anë.
Në vetminë tënde, ti nuk je i huaj
Në lëkurën tënde, ti nuk je muranë.
Ç’është kjo botë që lëvrin përreth
Skëterra tundet deri në kat të nëntë.
Me Kafkën atje rri Musa Ramadani
Kapakët e dorëshkrimit e shtrëngojnë rëndë.
Në derë të parajsës, mu aty tek holli
Po puthte nën vetull dashnoren e 87-të
Kozmiku i Tokës, i hirti Gani Xhafolli
Dhe i vdiste në cepin e vetullës së djathtë.
Në të shtatin buluronte fauna si kope e Jobit
Doli përtej Biblës demi, dhia, keci
Me lapsin e përgjysmuar të Eqrem Çabejt
I qenë a i mosqenë Abdullah Konushevci.
Në fillim ishte fjala… dhe dihet pastaj
Dhe zoti krijoi njeriun, Arifin, Iljazin
I keni parë sytë e tyre të ujshëm, poetikë
Më të thellë se poezinë, më lirikë se prozën…
Ferrit e zjarreve, pa dalje e hëna
Zbulesa, Apokalipsa – filli e fundi.
Në fundin e shekullit “Fjalorin e Barbarëve”
Si kryqin djallit e tund Bajram Kosumi.
I mbërthyer në një tavolinë ilire
Si demon parajse, si rebel, si eremit
Tahir Deskut ia shprish gjithë mjegullnajat
Rasim Kiçina vetë i shtatë a tetë.
Një plim mediokrësh fërkohet diku tutje
Dhe ngrehina mplaket, e murtë, katran
Pa shpirt bien përdhe fjalët e shenjta shqipe
Si nga zëri, në pijetore, i këngëtarit cigan.
Midis teje dhe meje dhe këtij ashensori
Ali, është çmendur dikush. Duhet një frenim.
Në një skutë ferri një çikë tej purgatori
E sheh hekatombën të shndërruar në krim.
Plagët e katër yjeve, vezullimin, dritat
Duart e Ymer Elshanit dot nuk i tubojnë,
Kanë shpërthyer tokën si luleboret
Dhe qiellit parajsor përshkëndijojnë.
Lartësia dhe honi, drita dhe nata
Gjithçka, gjithçka ka humbur kuptimin,
E rrugëtimi ynë drejt purgatorit
Nuk do të mbarojë pa gjetur fillimin.
Ngjizja e Kosovës nga urnat e hirit
Plagët e Prekazit. Kënga e Adem Jasharit
Vajtojcat e Rekës, dhembjet e Lumit
Janë fillet e “Biblës”, ballinat e “Mesharit”.
Apo një fill tjetër mbi një pikë gjaku
Që rrjedh e rrjedh pa ndalur damarëve të tokës,
Deri tek tehu i hollë i shpatës së Gjergjit
A tek flamuri i poemave të De Radës.
Ku është fillimi i jetës, i ditës, i javës
Ku vete kështu ky ashensor rebel.
Tmerri yt i trishtë, tmerri i së hënës
Në vrimat e jetës dhe hyn dhe del.
(Religjioni i Pikëllimit, 100 poezi, Brezi 81, Prishtinë, 2015)