Ismail Tasholli: “Marshi për drejtësi” do të përçojë dy mesazhe
Ideatori i platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ka bërë me dije se “Marshi për drejtësi” që do të mbahet më 2 prill në Prishtinë do të përçojë dy mesazhe: njëri mesazh do të jetë thirrje për drejtësi, tjetri për shprehje të mirënjohjes.
“Këtë të diel e kemi mundësinë e përçimit të dy mesazheve. Njeri mesazh do të vijë në formën e thirrjes për drejtësi, tjetri mesazh do të jetë ai i mirënjohjes. Mirënjohjes së atyre që dikur marshuan për liri. Sepse fara më e keqe që mund të mbillet në një shoqëri është mosmirënjohja dhe nuk guxon të na ndodhë kjo”, ka pohuar Tasholli.
Ai ka thënë se është i nevojshëm përbashkimi i shoqërisë sonë rreth disa temave që janë premisa mbi të cilat janë ndërtuar dinjiteti dhe krenaria jonë kombëtare.
Tasholli në këtë intervistë ka thënë se UÇK-ja i përket secilit qytetar të këtij vendi, duke theksuar se ish-krerët e saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, nuk janë emra të përveçëm, por janë disa nga emrat e lirisë.
“Duhet të jemi shumë të vëmendshëm në kompleksitetin e ngjarjeve që po rrjedhin atje, duke lënë anash hidhërimet politike tipike ballkanike dhe ta dëshmojmë maturinë si veprim të përbashkuar. Mos ta harrojmë, duke mbrojtur ata atje e mbrojmë vetveten, mbrojmë të ardhmen tonë”, ka deklaruar Tasholli, raporton “Epoka e re”.
Ai ka theksuar se deri më tani në çdo takim që kanë pasur, “Marshi për drejtësi” ka marrë mbështetja maksimale.
“Në secilin takim që kemi pasur thirrja jonë për mbështetje ka gjetur mirëkuptimin maksimal. Të gjithë janë të vetëdijshëm për peshën e situatës ku ndodhemi sot dhe e konsiderojnë si të nevojshme përkrahjen. Tekefundit, secili e respekton veten kur respekton periudhën më të ndritur të historisë së re të vendit tonë qoftë edhe nëpërmjet simbolikës së marshit”, ka deklaruar Tasholli.
“Marshi për drejtësi” po merr mbështetje maksimale, UÇK-ja i përket secilit qytetar