Ismaili: BQK-ja e përkushtuar të përafrojë sektorin financiar të BE-së

14 nëntor 2024 | 12:07

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë si folës në panel në konferencën vjetore me temën: “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”, e organizuar në Tiranë nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave.

Në këtë konferencë të nivelit të lartë kanë marrë pjesë drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, guvernatorë dhe përfaqësues të botës akademike.

Gjatë takimit janë diskutuar dhe shkëmbyer pikëpamjet dhe përvojat e bankave qendrore në ndërtimin e rrjeteve efektive institucionale për një integrim të suksesshëm në Bashkim Evropian, ashtu si dhe përpjekjet bashkëpunuese ndërmjet bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor nën udhëheqjen e Bankës Qendrore Evropiane.

Guvernatori Ismaili ka marrë pjesë në panelin e guvernatorëve me temë: “Udhërrëfyesi institucional dhe rrjetet efikase”, të kryesuar nga Pоul Thomsen, ish-drejtor i Departamentit Evropian i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Paneli përfshinte guvernatorë nga Banka e Shqipërisë, Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Malit të Zi.

Gjatë fjalës së tij, guvernatori Ismaili ka diskutuar për mënyrën e adresimit të sfidave të viteve të fundit, treguesit kyç makroekonomikë dhe zhvillimet në sektorin financiar. Ai ka elaboruar mbi reformat e ndërmarra nga BQK-ja në avancimin e kornizës ligjore në drejtim të përafrimit me vendet evropian, si dhe nismat e marra në rritjen e qëndrueshmërisë së vendit.

Më tutje, Ismaili në këtë panel ka folur edhe për progresin dhe hapat e ndërmarrë nga BQK-ja për të integruar Republikën e Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Konvergjenca me BE-në sjell përfitime të mëdha për sektorin financiar dhe ekonominë e vendit në përgjithësi, prandaj BQK mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e reformave që përafrojnë sektorin financiar me atë të vendeve të BE-së.

BQK-ja është në proces të vazhdueshëm të harmonizimit të legjislacionit me rregulloret dhe direktivat e BE-së si dhe praktikat mbikëqyrëse të autoriteteve rregullative evropiane, ndërsa vazhdon të forcojë marrëdhëniet e bashkëpunimit me bankat qendrore të rajonit dhe të BE-së, si dhe me institucionet financiare ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja e njohur Zendaya ka zbuluar detaje të reja rreth…