Ismaili: BQK-ja po ndërmerr veprime për të plotësuar kriteret për anëtarësim në SEPA
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në Ministerialin në kuadër të Procesit të Berlinit “BP6 drejt Zonës së Vetme të Pagesave të Bashkimit Evropian (SEPA)”, i cili në Tiranë mblodhi Ministrat dhe Guvernatorët e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor.
Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, ku ishin prezent përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe akterë të tjerë të institucioneve financiare ndërkombëtare, prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga BQK-ja dhe ato në proces që mundësojnë anëtarësimin Republikës së Kosovës në skemën SEPA, duke nënvizuar përfitimet ekonomike dhe financiare.
Sipas guvernatorit Ismaili, BQK-ja është duke ndërmarrë veprime drejt avancimit dhe përafrimit të legjislacionit dhe infrastrukturës, për të plotësuar kriteret për anëtarësim në SEPA, në pajtim me objektivat e planin strategjik 2024-2028.
I pari i BQK-së nënvizoi se zhvillimi i sistemit kombëtar të pagesave të shpejta “instant” dhe me objektivin final lidhjen me sistemin TIPS, do të kanë ndikim të rëndësishëm në ekonominë, veçanërisht për lëvizjen e lirë të kapitalit me partnerin më të madh të Kosovës, Bashkimin Evropian.
Në kuadër të këtij takimi ndërkombëtar, vendet e Ballkanit Perëndimor u zotuan të ndërmarrin hapa konkret drejtë plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA, i cili do të lehtësonte tregtinë në të gjithë rajonin dhe me BE-në, duke mbështetur lëvizjen e kapitalit, aktivitetin ekonomik dhe një sistem inovativ, të sigurt dhe efikas të pagesave.