Ismaili dhe Perani pajtohen për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe IFC-së
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) janë pajtuar që ta thellojnë bashkëpunimin ndërmjet këtyre institucioneve.
Sipas njoftimit për medie, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili dhe drejtori i zyrës për Kosovë dhe Maqedoni e Veriut të IFC-së, Visar Perani kanë diskutuar që ta rrisin aktivitetin në fusha të ndryshme brenda mandatit të dy institucioneve.
“Në takim u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme brenda mandatit të dy institucioneve, duke përfshirë: qeverisjen koorporative, bashkëpunimin dhe përfaqësimin ndërkombëtar, financimin e projekteve në vend, pikëpamjet për draftin e ligjit për institucionet mikrofinanciare, gjithëpërfshirjen financiare dhe financimin e qëndrueshëm. Të dy palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin në çështjet e diskutuara, me fokus në fushat prioritare në pajtim me objektivat e përbashkëta”, ka njoftuar BQK-ja.
Në fund, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e BQK-së ndaj Peranit për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që Korporata Financiare Ndërkombëtare (pjesë e Grupit të Bankës Botërore) i ka ofruar BQK-së, sektorit financiar dhe ekonomisë së vendit.